Bota “Rilindja europiane”, Kramp-Karrenbauer i përgjigjet Macronit: Kështu reformohet BE

“Rilindja europiane”, Kramp-Karrenbauer i përgjigjet Macronit: Kështu reformohet BE

Kryetarja e CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer pas propozimeve të fundit të kryeministrit francez Emmanuel Macron për reforma në BE, paraqiti konceptin e saj. Pikërëndesat janë: Reduktimi i burokracisë dhe fleksibiliteti.

Një javë pas propozimeve të fundit të kryeministrit francez, Emmanuel Macron për një nismë reformash në BE, kryetarja e CDU-së në Gjermani, Annegret Kramp-Karrenbauer ka dhënë si përgjigje përfytyrimet e saj për reformën. Në radhë të parë ajo sugjeron sigurimin e bazave të mirëqenies europiane. Kryetarja e kristiandemokratëve (CDU) propozon në një shkrim për gazetën “Welt am Sonntag” ndër të tjera krijimin e një “tregu të brendshëm për bankat”.

“Njëkohësisht duhet që ne të mbështetemi në mënyrë konsekuente tek një sistem i subsidiaritetit, përgjegjësisë vetiake dhe detyrimit që lidhet me të”, shkruan kryetarja e CDU-së duke paralajmëruar njëkohësisht se: “Centralizmi europian, ekonomia europiane e planifikuar, kolektivizimi i shkollave, europianizimi i sistemeve sociale dhe paga minimale do të ishin rruga e gabuar.”

Kramp-Karrenbauer do gjithashtu që të hiqet selia dytësore e Parlamentin Europian në Strasburg – gjë kjo që është e papranueshme për Francën. Po ashtu nëpunësit e BE-së, sipas saj, nuk duhet të vazhdojnë të jenë të përjashtuar prej tatimit ndaj të ardhurave.

Një politikë e jashtme e përbashkët më e fortë

Për BE ajo kërkon një vend të përbashkët të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kramp-Karrenbauer as që nuk e përmend fare një buxhet të Eurozonës, një projekt prej kohësh ky i preferuar nga Macron. Por ajo që përfytyron politikania gjermane është një buxhet investimesh i BE-së për hulumtime të përbashkëta, zhvillim dhe teknologji.

Macron para pak ditësh me një apel emocional kërkoi reforma rrënjësore për BE-në. Ai propozoi një autoritet europian për azilimin si dhe një bankë europiane për klimën, e cila të financojë kthesën ekologjike. Qeveria gjermane fillimisht reagoi me rezervë ndaj kësaj ideje. Macron argumentoi me domosdoshmërinë për t’iu kundërvënë nacionalistëve para zgjedhjeve për Parlamentin Europian në fund të majit.

Jo më elita në Europë

Pavarësisht një Brexit të mundshëm kryetarja e CDU-së Kramp-Karrenbauer është për vazhdimin e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe. Ajo e konsideron si opsion një “Këshill Europian të Sigurisë duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe”, i cili të vendosë për pozicionet e politikës së jashtme dhe të organizojë bashkëveprimin për politikën e sigurisë.

Ajo bën thirrje, që “në bisedimet për ndryshimet e marrëveshjeve europiane të përfshihen të gjitha vendet anëtare. Sepse “në këtë kontekst nuk duhet as të ketë ‘elitë të Brukselit’ dhe as një ‘elitë perëndimore’, apo një elitë të izoluar ‘pro europiane'”.

Macron pati sugjeruar që brenda këtij viti të organizohet një “Konferencë për Europën”, ku të “propozohen të gjitha ndryshimet e nevojshme për projektin tonë politik, pa tabu, duke përfshirë edhe rishqyrtimin e marrëveshjeve të vjetra”.