Ekonomi Rindërtimi, 95 milionë euro nga Italia: Ja sektorët ku do të shkojnë

Rindërtimi, 95 milionë euro nga Italia: Ja sektorët ku do të shkojnë

Qeveria shqiptare ka firmosur këtë të martë marrëveshjen me qeverinë italiane për të vijuar zbatimin konkret të ndihmës prej 95 milionë euro (kredi dhe grante), shumë kjo e cila u dha nga shteti fqinj në Konferencën e Donatorëve, që u mbajt në Bruksel për procesin e rindërtimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i cili hodhi firmën së bashku me ambasadorin italian në Shqipëri, Fabricio Bucci, ndërsa garantuan se procesi i rindërtimit do të ecë me ritme të shpejta.

“Siç e përmenda në takimin tonë të fundit, do të ishte përparësia ime fillimi sa më shpejt i aktivitetit të punës”, tha ministri.

Pesë milionë euro nga e gjithë ndihma e Italisë janë grante që do të shkojnë për rindërtimin e objekteve publike, të cilat u shkatërruan apo dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019.

Pjesa tjetër e ndihmës prej 90 milionë euro do të jepen në formën e një kredie të butë, dhe shuma në fjalë pritet të implementohet në disa sektorë të vendit, ku nevoja për ndërhyrje është e konsiderueshme. Këto para do të kanalizohen në këto fusha, të cilat janë si vijojnë:

a) Në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit.

b) Në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit.

c) Në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile.

Ministri Arben Ahmetaj, i kërkoi ambasadorit italian që ky proces të vijojë me ritme të qëndrueshme, dhe  sektorët që janë piketuar të rifuqizohen sa më parë të jetë e mundur.

Ambasadori Fabrizio Bucci, gjatë fjalës së tij tha se kjo marrëveshje tregon mbi të gjitha marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, që sipas tij kanë qëndruar gjithmonë në krah të njëra-tjetrës.

“Marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes nesh jo vetëm si miq por edhe si vëllezër”, theksoi ai.