Aktualitet Rindërtimi, mbi 40% e të anketuarve shprehen se ka vonesa

Rindërtimi, mbi 40% e të anketuarve shprehen se ka vonesa

95.8% e familjeve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri në bashkinë Durrës nuk kanë mundur të përdorin aplikacionin “Shtëpia ime” të vënë në dispozicion nga qeveria si mënyrë për të përfituar nga fondet e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Të dhënat janë bërë publike në tryezën e parë të organizuar nga shoqëria civile në lidhje me procesin e rindërtimit dhe situatën social-ekonomike të banorëve në zonat rurale të Durrësit. Mirela Arqimandriti, drejtore e “Aleancës Gjinore për Zhvillim”, organizata që ka udhëhequr studimin në terren, falë mbështetjes së qeverisë suedeze dhe rrjetit “AËEN” me afro 400 familje në 2 njësitë administrative vuri theksin që në fillim të takimit se pavarësisht ecurisë pozitive, janë të shumtë banorët që kanë ngritur pretendime për sistemin e pikëzimit mbi vlerësimin e dëmit që shkaktoi tërmeti si dhe vështirësitë që kanë hasur në aplikim.

“Mungesa e një vlerësimi të thelluar ka bërë që dëmshpërblimi të mos shkojë në përpjestim të drejtë me nevojën në rastin e riparimit të banesave, ndërsa mbetet i paqartë procesi i riparimit të mjediseve të përbashkëta dhe fasadave të pallateve.” – nënvizoi Arqimandriti teksa shtoi më tej se në procesin e aplikimit rreth 40% e të anketuarëve kanë pohuar se kishin vështirësi në plotësimin e dosjes ndërsa 49 familje (12.8) janë shprehur se nuk kanë përfituar nga ky proces. Gjendja social-ekonomike e këtyre banorëve mbetet ende një shqetësim ndaj znj. Arqimandriti (GADC) vuri theksin tek nevoja që paralelisht me rindërtimin, çdo bashki të kthejë sytë edhe tek punësimi pasi në 54.7% të familjeve, kryefamiljari ishte pa punë, ndërsa ty ku gruaja ishte kryefamiljare, në 65% e rasteve rezultonin të papuna.

I pyetur në lidhje me familjet që ende nuk kanë mundur të aplikojnë dhe nëse do të ketë një rihapje të procesit për to, ministri i shtetit për Rindërtimin dhe Rimëkëmbjen, z. Arben Ahmetaj bëri të qartë se:

“Procesi ka një fillim dhe një mbarim. Ështe hapur 3 herë. Pikërisht për të dhënë mundësinë që të aplikonin edhe ata qe nuk e kishin bërë edhe prej mosbesimit.”

Z.Ahmetaj vuri në dukje më tej mundësinë që iu është dhënë gjatë procesit atyre familjeve që kanë ngritur pretendime mbi vlerësimin:

“Janë inxhinierë të pavarur që bëjnë vlerësimin dhe ai futet në dosje. Kushdo qytetar që është i pakënaqur, duhet të bëj një ankesë dhe të kontraktoj privatisht një inxhinier me licencë për të bërë vlerësimin e dytë. Në çdo rast fjalën e fundit edhe pas vlerësimit të dytë e ka Instituti i Ndërtimit” – tha ministri përgjegjës për rindërtimin dhe rimëkëmbjen.

Familjet në Sukth dhe Katund i Ri janë pyetur në këtë hulumtim edhe nëse u janë kërkuar para nën dorë për të përfituar nga programet e rindërtimit. Edhe pse vetëm 3 prej 334 familjeve të intervisutara pretendojnë që u kanë kërkuar para, koordinatorja e projektit vëzhgues në terren, Marinela Seitaj bën me dije se 38% kanë zgjedhur të heshtin, duke mos iu përgjigjur pyetjes ndërsa 44.2% mendojnë se ka vonesa në zbatimin e programit të rindërtimit.