Politika Rindërtimi, Rama: Do ta përballojmë të gjithën vetë sikur asnjë kokërr leku...

Rindërtimi, Rama: Do ta përballojmë të gjithën vetë sikur asnjë kokërr leku të mos vijë nga bota

Kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi në seancën plenare në Kuvend këtë të enjte deklaroi se nga buxheti që pritet të miratohet janë hequr të gjitha shpenzimet për makina dhe vitrina për t’i kaluar fondit të rindërtimit.

Kreu i qeverisë deklaroi se është e pavërtetë se shteti nuk ka para për të përballuar situatën. Ai theksoi se qeveria do ta programojë procesin edhe sikur asnjë ndihmë nga ndërkombëtarët të mos vijë.

Kreu i qeverisë deklaroi se buxheti angazhon fillimisht një fond prej 20 miliardë lekësh.

“Në këtë buxhet që miratojmë janë hequr shpenzimet për makina, për vitrina dhe për çdo nevojë tjetër të kësaj natyre. Të gjitha ato fonde i kalojnë fondit të rindërtimit. E mirëkuptoj që tërmeti ka bërë të veten dhe mbi ju dhe mbi fjalimet tuaja. Për të ardhur te thelbi që na ka mbledhur këtu dëshiroj të theksoj disa gjëra. Së pari, buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë prej të cilave 13 mld janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore dhe 7 mld janë të ardhura nga donacionet e ndryshme. E gjithë kjo pako e parë është një alokim fillestar. Përveç klithmave për kapele, doreza e çizme që natyrisht janë jehonë e konstatimeve të përcipta të përcjella nga ekranet dhe nga portalet dhe nga vitrinat dhe që shteti paska  mbetur pa lekë dhe s’paska kapacitet të përballojë këtë situatë prandaj ne po i shtimë dorën botës. Kjo është e pavërtetë dhe po ju them sot që ne do ta programojmë të gjithë procesin sikur të mos marrim asnjë lek nga bota. Të gjitha dhe do ta bëjmë. Kështu e kemi programin dhe kështu do ta bëjmë. Kjo që po bëjmë me këtë buxhet është fillimi i këtij programi. Sikur asnjë kokërr leku të mos vijë nga bota ne do ta përballojmë të gjithën  sepse është detyra jonë ta përballojmë dhe jemi më të zgjuar, më të zotë dhe më ta aftë se ju dhe ata që ju kanë hapur vendin këtu”, tha Rama.

Kryeministri tha se do ta përdorin rindërtimin në funksion të ekonomisë.