Aktualitet Risia e DPSHTRR në mbrojtje të mjedisit,  tarifa zero për mjetet elektrike

Risia e DPSHTRR në mbrojtje të mjedisit,  tarifa zero për mjetet elektrike

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor sjell një tjetër risi e cila pritet të ketë një ndikim tëdrejtpërdrejtë në mjedis dhe cilësinë e ajrit. DPSHTRR njofton se ka vendosur të rimbursojë çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike dhe plug-in.

Janë disa tarifa të cilat do të bëhen zero për këto kategori makinash duke nisur me kontrollin fizik, lejen e qarkullimit kombëtare, targat standard, si dhe certifikatë pronësie, të cilat në total arrijnë në7,500 lekë të reja për çdo mjet GREEN por që tashmë kjo shifër do të mbulohet nga DPSHTRR .

Kjo nisëm, e rëndësishme sa i takon mjedisit bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 412, dt. 19.06.2019 “Për Planin Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit”, i cili adreson cilësinë e ajrit si një ndër çështjet mjedisore më kritike, që ka të bëjë me administratorët lokalë dhe autoritetet qendrore, si dhe prek jetën e përditshme të çdo qytetari.

Nga DPSHTRR njoftohet gjithashtu se po përgatiten për miratim në Këshillin Drejtues të DPSHTRR dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë edhe nisma të tjera GREEN,  krahas propozimeve në kuadër të ndryshimeve në ligjin për taksat për mjetet rrugore.

Zerimi i tarifave për mjetet elektrike është në vijim të një sërë reformave të ndërmarra në sektorin e Shërbimeve të Transportit Rrugor gjatë muajve të fundit, siç është ajo për realizimin e ndryshimit të pronësisë së mjeteve pranë sporteleve të DPSHTRR pa qenë nevoja për të shkuar më tek noteri, por edhe risia e cila bëri të mundur evitimin e radhëve të gjata nëpër sportele përmes rezervimeve on-line. Gjithashtu, krahas rritjes së performancës dhe cilësisë së shërbimit janë ndërmarrë edhe investime për përmirësimin e infrastrukturës me qëllim ofrimin e kushteve më të mira dhe komode si për punonjësit ashtu edhe qytetarët të cilët paraqiten pranë sporteleve të për të marrë shërbimet që ofrohen.