Politika Ristani: Përderisa presidenti bën deklaratë për vetëvrasje diçka e rëndë po ndodh

Ristani: Përderisa presidenti bën deklaratë për vetëvrasje diçka e rëndë po ndodh

Ish-deputeti i PD-së, Arben Ristani ka deklaruar se në Shqipëri po ndodh diçka e rëndë përderisa presidenti Ilir Meta ka deklaruar se do të vetësakrifikohet deri në vetëvrasje.

“Diçka e rëndë po ndodh përderisa presidenti bën deklarata të tilla si ajo që bëri përpara disa ditësh ku tha që për stabilitetin e vendit jo vetëm që jep dorëheqjen por është gati të japë edhe jetën. Gjë që duhet vënë në alarm për çdo kënd për situatën në të cilën ndodhet vendi dhe për atë çfarë po ndodh në këtë vend.”

Ristani ka krahasuar protestat e opozitës së bashkuar kundër qeverisë Rama me vargjet e poezive të Migjenit.

“Në vijim do të ketë protestë të fortë, protestë të vazhdueshme, protestë të vërtetë. Dhe për këtë shkojnë përshtat fjalët e Migjenit që thoshte: “O, si nuk kam një grusht të forte, t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë grushti i opozitës dhe i qytetarëve shqiptarë do të jetë i fortë ndaj kësaj qeverie. Por kjo bëhet përmes pjesmarrjes sa më ta lartë”, tha në mbyllje Ristani.

Më tej, ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së foli edhe mbi marrjen në pyetje që i është bërë atij dhe zyrtarëve të tjerë të PD-së në Prokurori lidhur mbi akuzat për lobime.

“Për të fshehur zullumet e qeverisjes përpiqet të ndërtojë akuza kundër kundërshtarit politik. Ka patur disa insinuatata nga njerëz që unë nuk i njoh, dhe që nuk janë shqiptarë mbi lobimin por që nuk kanë të bëjnë me thirrjen që ka bërë Prokuroria e Përgjithshme. Partia Demokratike është një parti e cila ka sjellë demokracinë në këtë vend, është përpjekur me të gjitha forcat e veta për të ndërtuar një shtet modern dhe ka zbatuar gjithmonë procedurat ligjore. Asgjë tjetër përveç atyre që kemi deklaruar nuk ka”, shprehet Ristani.