Është 29 vjeç dhe ka bërë vetëm dy albume, por Rita Ora konsiderohet si një ndër artistet me më shumë fitime në botë.
E përditshmja “Daily Mail” shkruan se artistja shqiptare ka grumbulluar një pasuri prej 20 milionë paund, që kur u shfaq për herë të parë në skenë në vitin 2012 me hitin “R.I.P”.
Por suksesin nuk e ndal vetëm në muzikë. Këngëtarja ka arritur të përfitojë shumë duke nënshkruar marrëveshje të ndryshme për reklama si dhe duke krijuar një karrierë si aktore dhe juri në spektaklet e ndryshme televizive.
Për rolin e saj si Mia në “Fifty Shades of Grey”, Rita Ora u pagua 750 mijë paund, teksa periudha e saj si gjyqtare në “X Factor” në vitin 2015 shtoi mbi 1.5 milionë paund në bilancin e saj bankar.
Janë jo të pakta edhe bashkëpunimet në promovimin e firmave të ndryshme si Rimmel, Coca-Cola, Samsung Galaxy S6 etj, të cilat bën që në fillim të këtij viti, Rita Ora të renditej e nënta në “Sunday Times Rich” për të ardhurat e saj.
Seksi, argëtuese dhe e këndshme për ndjekësit. Kështu e vlerësojnë ekspertët e marketingut Ritën, një ndër zgjedhjet e para tashmë të markave më të njohura në botë.