Kulturë Rita Petro reagon në lidhje me votimin në festival: E kam ndjerë...

Rita Petro reagon në lidhje me votimin në festival: E kam ndjerë veten të fyer

Një prej anëtareve të jurisë së “Festivalit të Këngës”, Rita Petro ka reaguar mëngjesin e sotëm rreth pikëve dhe mënyrës së votimit. E ftuar në “Wake Up”, Petro e cila qëndronte krah Mikaela Mingës dhe jurisë së huaj, tha me bindje të plotë se votimi ka qenë teknikisht i pastër dhe i sinqertë.

“Fillimisht kur na thirrën do bëheni pjesë e festivalit, nga drejtori i RTSH-së thashë pse jo, u ndjeva shumë e vlerësuar”, tregoi Petro duke shtuar se në asnjë moment anëtarët nuk komunikuan me njëri-tjetrin gjatë dhe pas festivalit.

“Gjithë kohës që kemi qenë në koncert bisedat ishin te kënaqësia e spektaklit, duke dëgjuar këngët harroja që isha pjesë e jurisë, edhe anëtarët e tjerë merrnin kënaqësinë  e këngëve. Nuk është diskutuar se cilat janë preferencat e secilit prej nesh, këtë e them me kompetencë. Nuk u bë llogari! Emri i Elvanës as nuk është zënë ndonjëherë as nga anëtarët e jurisë edhe kur na mblodhën në dhomë (për të votuar) nuk është zënë në gojë as emri i Elvanës dhe as i ndonjë këngëtari tjetër”, vazhdoi ajo.

Petro, theksoi se pas gjithë këtyre polemikave dhe dyshimeve që u ngritën ndaj mënyrës së votimit, e ndjen veten të fyer dhe kërkon një reagim institucional.

“Nuk ishim ne që ju thamë na merrni në juri, na thirrën e pranuam, u ndjemë të nderuar. Duhet një reagim publik institucional, i organizatorëve, çdo gjë është bërë në rregull. Na vjen keq që na ndanë juria shqiptare, juria e huaj. Të bësh këtë ndarje, që juria shqiptare nuk është e zonja, apo janë të korruptuar… E kam ndjerë veten të fyer. Deri për Eurovizion ka kohë që të analizohen faktet, të hetohet, të ngrihet një juri tjetër.”