Politika Ritmi shqetësues i shtimit të rasteve, Meta: Nevojitet urgjentisht një strategji e...

Ritmi shqetësues i shtimit të rasteve, Meta: Nevojitet urgjentisht një strategji e re

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të një tjetër mjeku të infektuar me koronavirus. Ai i shprehu ngushëllimet familjes së Hysni Shkjaut, kolegëve dhe komunitetit pukian, ku doktori shërbeu për 40 vite.

“Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian”, shkruan Meta në Facebook.

Kreu i shtetit thekon nevojën për një strategji të re, më efikase dhe transparente për përballimin e pandemisë. Çdo neglizhencë sipas tij do të sillte pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe për ekonominë e vendit.

“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik. Ndaj përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”, shkruan Meta.

Presidenti thekson se është shumë i domosdoshëm forcimi i bashkëpunimit mes autoriteteve qendrore dhe vendore me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike.