Sport Rivaliteti me Ronaldon, “Topi i Artë” dhe familja; Leo Messi sqaron gjithçka

Rivaliteti me Ronaldon, “Topi i Artë” dhe familja; Leo Messi sqaron gjithçka

Lionel Messi e ka konsideruar rivalitetin mes tij dhe Cristiano Ronaldos “të shëndetshëm” dhe të mirë për tifozët.

Argjentinasi dhe portugezi rivalizuan fort në La Liga, për pjesën më të mirë të dekadës së fundit, nga koha kur Ronaldo u bashkua me Real Madridin, në vitin 2009.

Messi dhe Ronaldo ishin forcat dominuese në Spanjë dhe në futbollin botëror gjatë pjesës më të madhe të kohës së tyre në La Liga, së bashku, duke krijuar një rivalitet natyral.

Gjatë kohës së Ronaldos me “Los Blancos”, ai fitoi dy herë La Liga-n dhe katër herë Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Messi ka fituar nëntë tituj të La Liga-s (gjashtë prej të cilëve janë fituar kur Ronaldo ishte në Madrid) dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve. Statistikat e CR7 në La Liga u mbyllën para sezonit aktual, pasi 33-vjeçari bëri një transferim të bujshëm te Juventusi.

Dhe Messi ka pohuar se koha e të dyve, bashkë me rivalitetin e madh, në udhëheqje të La Liga-s ishte diçka shumë pozitive për futbollin dhe për të gjithë tifozët. “Rivaliteti me Cristianon ishte shumë i shëndetshëm dhe i mirë për tifozët”, – tha 31-vjeçari për “Marca”.

Sa iu takon vlerësimeve individuale, Messi dhe Ronaldo e kanë fituar nga pesë herë secili “Topin e Artë”, duke krijuar një duopol në çmimin prestigjioz, midis viteve 2008 dhe 2017.

Kjo “diktaturë” u thye në vitin 2018, me ish-bashkëlojtarin e Ronaldos, Luka Modriç, që e mori çmimin në fjalë. Dhe Messi, në mënyrë të diskutueshme, përfundoi i pesti në votim; pas Kylian Mbappe, Antoine Griezmann, Ronaldo dhe Modric. Ai ka deklaruar se e dinte që nuk do ta fitonte “Topin e Artë” kësaj here, kur pa garën për çmimin.

“Dëgjova kandidatët për “Topin e Artë” dhe e dija që nuk isha në garë”, – shtoi Messi. Pavarësisht nga suksesi i Messit në futboll, ai ka këmbëngulur se ka ende prioritete më të larta në jetë: “Unë e dua futbollin, por familja është mbi të gjitha”.