Kryesore Roboti i NASA-s zbarkon në Mars: Tani do të kërkojë shenja jetë...

Roboti i NASA-s zbarkon në Mars: Tani do të kërkojë shenja jetë në planetin e kuq

Sonda “Perseverance” (Këmbëngulja) e Agjencisë Amerikane të Hapësirës zbarkoi me sukses në një krater të planetit Mars, të emëruar sipas qytetit të Bosnjes, Jezero.

“Wow. Kjo është një ditë e mrekullueshme. Jam shumë i lumtur për këtë arritje nën rrethana sfiduese”, tha drejtori në detyrë i NASA-s, Steve Jurczyk.

Roboti u largua nga toka para 6 muajsh dhe iu përshtat më së miri emrit, duke kaluar të gjitha pengesat për të mbërritur në atë që do të jetë shtëpia e tij e përhershme tashmë.

Ky është një prej atyre momenteve kyçe në historinë e NASA-s, Shteteve të Bashkuara dhe eksplorimit të hapësirës”, tha Steve Jurczyk. “Misioni do të na ndihmojë të përgatitemi për eksplorimin e planetit të kuq nga njerëzit, në vitet 2030”. Presidenti amerikan, Joe Biden, përgëzoi Jurczyk dhe të gjithë skuadrën e NASA-s që bëri të mundur këtë arritje.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ndjek zbarkimin e robotit të NASA-s në Mars

Dashuria e njerëzimit me Marsin është e vjetër, ndërsa hipotezat për mundësinë e lulëzimit të jetës atje janë hedhur gjithmonë.

Perseverance” është i pari robot që niset nga Toka për të kërkuar për shenja jete në Mars. Gjithashtu është i pari “helikopter” që fluturon drejt një planeti tjetër dhe i pari që do të regjistrojë zë në planetin e kuq.

Ai është roboti më i sofistikuar që NASA ka ndërtuar deri më tani dhe për vitet e ardhshme do të ketë një agjendë tepër të ngjeshur. Do të eksplorojë kraterin Jezero, vendin ku mendohet që 3,9 miliardë vjet më parë ekzistonte një liqen, dhe do të kërkojë aty për mikrofosile. NASA planifikon që përmes misioneve të tjera të rikthejë në Tokë ato që “Percy” do të gjejë atje.

Kjo është një ditë historike edhe për 1,000 banorët e qytetit boshnjak Jezero. Ky emër iu dha kraterit të gjerë 49 kilometra, që mendohet se dikur ka qenë i mbuluar nga uji. Jezero në disa gjuhë sllave do të thotë liqen.