Sport Roma kërkon trajner. “L’Equipe”: Po tentohet edhe Mourinho

Roma kërkon trajner. “L’Equipe”: Po tentohet edhe Mourinho

Roma është vënë prej kohësh në ndjekje të një trajneri me peshë, sidomos në arenën ndërkombëtare. Së fundmi është folur shumë për interesimin e verdhekuqve për ish-trajnerin e Chelseat, Antonio Conte, por nga Franca kanë filluar të qarkullojnë lajme në lidhje me një tjetër emër prestigjioz sa i përket trajningut, Jose Mourinho.

Është e përditshmja “L’Equipe” që flet për mundësinë e kalimit të portugezit në pankinën e Romës, edhe pse ai ka shfaqur disponibilitetin e tij për të marrë drejtimin e Paris Saint-Germainit në vend të Thomas Tuchel. Sipas “L’Equipe”, Roma është në tratativa me Mourinhon, edhe pse pikëpyetjet në këtë histori nuk mungojnë.

Problemi më i madh për Romën në këtë pikë është çështja e pagës, pasi nuk dihet nëse verdhekuqtë do t’ia lejojnë vetes të shpenzojnë një shifër astronomike për luzitanin. Gjithsesi, tashmë zërat janë shfaqur, madje po flitet se fondi i Katarit, i Al Khelaifit, po studion me kujdes mundësinë për të bërë një ofertë për të, zëra që Pallotta i ka përgënjeshtruar në mënyrë kategorike.

Gjithsesi, te Roma drejtuesit kanë filluar të bëjnë lëvizjet e tyre, për të mos qenë të papërgatitur në fund të sezonit. Por, përpara kësaj, skuadra romane duhet të mendojë të arrijë objektivin e saj dhe të përfundojë sezonin në Serie A në zonën e Champions League.