Kulturë Romancieri nga Tanzania fiton Çmimin Nobel në Letërsi

Romancieri nga Tanzania fiton Çmimin Nobel në Letërsi

Shkrimtari tanzanian, Abdulrazak Gurnah ka marrë Çmimin Nobel për Letërsinë për vitin 2021.

Akademia suedeze vlerësoi Gurnahun për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatëve në hendekun midis kulturave dhe kontinenteve”.

Akademia e citoi “përkushtimin e tij ndaj së vërtetës”.

”Romanet e tij tërhiqen nga përshkrimet stereotipike dhe hapin shikimin tonë në një Afrikë Lindore të larmishme kulturore, të panjohur për shumë vende të tjera”, tha juria.

Vepra e shkruar nga Gurnah, “Parajsa”, ishte ajo që e bëri të famshëm shkrimtarin në skenën botërore. Ajo u shkrua prej tij pas një udhëtimi në Afrikën Lindore rreth vitit 1990 dhe tregon një histori të trishtë dashurie ku përplasen dy botë të ndryshme dhe dy sisteme besimi.

Abdulrazak Gurnah ka publikuar gjatë karrierës së tij 10 romane dhe disa tregime të shkurtra.

Ai nisi të shkruante kur ishte 21 vjeç, dhe përveç gjuhës “swahili”, anglishtja u bë gjuha e tij e dytë dhe gjuha e përdorur në veprat e tij.

I lindur në vitin 1948 dhe i rritur në Zanzibar, Gurnah mbërriti në Angli si refugjat në fund të viteve 1960. Deri para daljes në pension, ai ishte pedagog i gjuhës angleze dhe Letërsisë Postkoloniale në Universitetin e Kentit, Angli.