Sport Ronaldo dhe VAR, Juventus e mbyll vitin me fitore

Ronaldo dhe VAR, Juventus e mbyll vitin me fitore

Cristiano Ronaldo shënoi dy herë në sfidën e fundit të Juventusit për vitin 2018, duke ndihmuar bardhezinjtë të mbyllin vitin me fitore, pasi triumfuan me rezultatin 2-1 përballë Sampdorias në “Allianz Stadium”.

Ndonëse golat i shënoi portugezi, protagonisti i takimit ishte VAR-i, që fillimisht akordoi një penallti për Sampin, e shndërruar në gol nga Quagliarela dhe më pas anuloi një gol spektakolar të Saponarës, në minutën e 90’ të takimit.

Përsëritja në VAR konfirmoi se fantazisti i Sampit nisej në pozicion jashtë loje, në fillim të aksionit dhe pas pasimeve të shkëmbyera me Defrel, gjuajti mrekullisht duke shënuar, por goli nuk vlejti, duke lënë në fuqi fitoren e bardhezinjve.

Kur janë luajtur gjysma e ndeshjeve të kampionatit, Juventusi vijon të jetë ende i pamposhtur, pasi numëron 17 fitore dhe vetëm dy barazime, duke shkuar në kuotën e 53 pikëve, nga 57 të mundshmet.