Sport Ronaldo: Ky është ndryshimi mes meje dhe Messi-t

Ronaldo: Ky është ndryshimi mes meje dhe Messi-t

Ylli i Juventus, Cristiano Ronaldo, ka shpjeguar diferencën mes tij dhe Messi-t në një intervistë të dhënë për DAZN.

Ai ka folur për rivalitetin me yllin e Barcelona-s dhe betejën e tyre të vazhdueshme për titullin e lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave.

“Diferenca mes meje dhe Messi-t është se unë kam luajtur për klube të ndryshëm dhe kam fituar Champions League me klube të ndryshëm“, ka thënë portugezi.

“Kam qenë golashënuesi më i mirë i Champions League për gjashtë sezone radhazi. Nuk ka shumë lojtarë që kanë fituar pesë Champions League, për këtë arsye them se unë mund ta identifikoj veten me këtë kompeticion”.

“Messi është një lojtar i shkëlqyer, i cili nuk do të mbahet mend vetëm për Topat e Artë të fituar, por edhe për faktin se më ka ndihmuar mua të përmirësohem vit pas viti”, theksoi CR7.

34-vjeçari portugez ka fituar një Champions League me Manchester United në 2008-ën dhe katër të tjera me Real Madrid, duke përfshirë këtu tre radhazi nga 2016-ta në 2018-ën.

Messi, nga ana tjetër, ka kaluar gjithë karrierën e tij te Barcelona, duke fituar katër Champions League. Suksesi i fundit i argjentinasit 32-vjeçar në këtë kompeticion ka qenë në 2015-ën.

“Unë zgjohem çdo mëngjes me idenë për t’u stërvitur në mënyrë që të arrij diçka më shumë, jo vetëm të fitoj para. Falë Zotit, paratë nuk më mungojnë, kështu që ajo që dua është të siguroj një vend në historinë e futbollit”, theksoi portugezi që kërkon një Champions edhe me Juven.

Gjithsesi pavarësisht se çfarë do të ndodhë më vonë me karrierën e sulmuesit portugez, tashmë ai e ka shkruar emrin e tij në historinë e futbollit, falë sukseseve të arritura.