Sport Ronaldo mbyll çështjen e zëvendësimit: Kam luajtur i dëmtuar për Juven

Ronaldo mbyll çështjen e zëvendësimit: Kam luajtur i dëmtuar për Juven

Cristiano Ronaldo është gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe kjo sigurisht me meritën e tij të plotë për atë që jep në fushën e lojës. Por në dy ndeshjet e fundit me Juventusin, ai u zëvendësua në Sarri dhe menjëherë nisën të qarkullojnë zërat se situata te bardhezinjtë nuk është e duhura për portugezin.

Megjithatë, më në fund, Ronaldo ka vendosur të flasë, duke hedhur poshtë këta zëra se ka mosmarrëveshje me trajnerin.

Pas golit të shënuar në transfertë në fitoren 0-2 të Portugalisë në Luksemburg, Ronaldo ka folur edhe për situatën që është duke kaluar te Juventusi. Sa i përket zëvendësimeve, ai ka thënë se nuk ka qenë në formë optimale në ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi, ndërsa thekson se gjithmonë synon të japë 100% nga mundësitë e tij.

“Në tri javët, kam luajtur i kufizuar. Nuk më pëlqen të më zëvendësojnë. Unë luaj 50 apo 60 ndeshje në vit, por në një moment a një tjetër mund të ndodhë diçka e paparashikuar: Është një dhimbje që më pengon të jem në qind për qindëshin tim. Mirëpo, unë gjithmonë mundohem të ndihmoj skuadrën. Ka pasur shumë kundërthënie lidhur me këtë temë, pa pasur shumë për t’u thënë. Ne fituam. Juventusi është në vend të parë”, ka thënë Ronaldo.

Më pas sulmuesi portugez bëri një apel edhe për shokët e tij te Juventusi, duke u kujtuar atyre se duhet bërë kujdes dhe duhet luajtur me përqendrim maksimal, pasi Interi është duke bërë një sezon mjaft të mirë.

“Duhet të jemi të përqendruar dhe të vazhdojmë të marrim pikë, pasi nuk mund të jemi të qetë këtë sezon, me atë që po bën Interi në fushën e lojës”, deklaroi CR7.