Sport Ronaldo: Nuk ishte kurrë në dorën time, doja të qëndroja te Barcelona

Ronaldo: Nuk ishte kurrë në dorën time, doja të qëndroja te Barcelona

Ronaldo Nazario tregoi në një intervistë një anekdotë deri më tani të panjohur për mënyrën e largimit të tij nga Barcelona. Të gjithë e dinë që braziliani, pasi bëri një sezon historik në “Camp Nou”, ku përfundoi si golashënuesi më i mirë i ligës spanjolle dhe fituesi i “UEFA Cup Winners’ Cup”, shkoi tek Interi për një shumë stratosferike parash në atë kohë.

Sidoqoftë, braziliani pranon se qëllimi i tij ishte të rinovonte, por klubi i Barçës, i kryesuar nga Josep Lluis Núñez nuk u kujtua për këtë: “Doja të rinovoja në fund të sezonit, por u largova me ekipin kombëtar në Brazil. Pesë ditë më vonë, ata më thirrën për të më thënë se nuk mund ta vazhdojnë bashkëpunimin. Asnjëherë nuk ishte në duart e mia kjo gjë. Unë doja të qëndroja. Nëse klubi nuk do të më vlerësonte siç mendoja, atëherë vendimi nuk ishte në duart e mia. Do të kisha dashur të qëndroja, por nuk varej nga unë”.

“Kush më bindi të kaloj te Real Madridi”

Ronaldo Nazario rrëfeu se ishte Roberto Carlos, ai që e bindi atë të luante te Real Madridi. Kjo ishte një ide e shkëlqyer për të që në fillim, megjithëse iu deshën vite për t’i ndjekur këshillat e tij: “Unë luaja me Roberto Carlos te kombëtarja e Brazilit dhe më tregonte për gjithçka, që përfaqësonte Real Madridi. Më mburrej me përvojën e tij atje. Gjithçka ishte ngulitur në mendjen time dhe pas disa vitesh desha ta shoh me sytë e mi”.

“Fenomeni”, gjithashtu, pranon se i tejkaloi pritshmëritë e tij me të bardhët: “Unë e provova vetë eksperiencën në Madrid. Atje ishte edhe më mirë se ç’më kishte thënë Roberto Carlos, një klub më i madh nga sa mund ta imagjinoja. Ishte Real Madridi. Natyrisht, kishte pritshmëri dhe presion të madh. Sigurisht, atje ishin edhe lojtarët më të mirë në botë. Unë isha i kënaqur që zbulova një klub të madh dhe ndihmova për ta bërë edhe më të madh”.

Në cilën skuadër u pa Ronaldo më i mirë

Në fund, braziliani nuk mund të thoshte se në cilën skuadër u pa Ronaldo më i mirë, megjithëse pranon se ishte i lumtur në të gjitha “stacionet” e karrierës, deri në pensionimin e tij: “Sidoqoftë, nuk mund t’ju tregoj se cili version imi ishte më i miri. Mendoj se është një pyetje më shumë për tifozët sesa për mua. Personalisht u përpoqa të bëja më të mirën gjatë karrierës sime”.