Sport Ronaldo nuk njeh limite, dygolësh ndaj Cagliarit dhe kap Ibrën

Ronaldo nuk njeh limite, dygolësh ndaj Cagliarit dhe kap Ibrën

Me Cristiano Ronaldon në fushë, për Juventusin gjithçka është më e thjeshtë. Falë dy golave të CR7, të shënuar në fundin e pjesës së parë, “Zonja e Vjetër” bëri detyrën ndaj Cagliarit në “Allianz Stadium” e tashmë i bën presion Milanit në krye të renditjes.

Cagliari po u rezistonte më së miri sulmueve të bardhezinjve, por në minutën e 38-të, Ronaldo i krijoi mundësi vetes për të goditur brenda zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Cragno. Vetëm katër minutave më vonë shënoi të dytin me një gjysmë akrobaci, duke i vrarë përfundimisht shpresat e ishullorëve për të marrë rezultat pozitiv në këtë transfertë.

Në pjesën e dytë Demiral goditi traversën, ndërsa Alvaro Morata dhe Bernardeschi iu afruan ndjeshëm golit, por nuk patën shënjestër ne duhur.

Cagliari mundi të dërgonte topin në rrjetë në minutën e 69-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Dhe kështu CR7 ka barazuar në klasifikimin e golashënuesve Zlatan Ibrahimovic, 8 secili, një garë që duket se do të vazhdojë deri në fund. Një kuriozitet: Si portugezi, ashtu edhe suedezi kanë humbur dy gara pasi u prekën nga koronavirusi. Por për të ndaluar këta të dy, duhet më shumë se kaq…