Sport Ronaldo “rrëmbeu” shfaqjen, por Bernadeski ishte sekreti i përmbysjes

Ronaldo “rrëmbeu” shfaqjen, por Bernadeski ishte sekreti i përmbysjes

Juventusi mbrëmjen e së martës arriti një nga përmbysjet më të rëndësishme në historinë e saj, ndoshta më e jashtëzakonshmja, pasi torinezët kurrë më parë nuk kishin arritur të përmbysnin një ndeshje në Ligën e Kampionëve në momentin që ishin mposhtur 2-0 në takimin e parë.

Sigurisht, për të bërë realitet ëndrrën u desh një Kristiano Ronaldo në ditën më të mirë. Portugezi udhëhoqi “Zonjën e Vjetër”, me tre golëshin e tij. Megjithatë nëse Ronaldo meritoi notën 10, atëherë  menjëherë pas tij vjen Federiko Bernadeski.

Italiani ishte një bast i Alegrit, teksa u preferua titullar para Dibalës, por tekniku livornez në fund e fitoi bastin, pasi sulmuesi anësor ishte motori i përmbysjes.

Asist për Ronaldon te goli i parë, por edhe një sprint në minutën e 84, nga i cili erdhi dhe penalltia e ekzekutuar nga Ronaldo.

Gjatë mbrëmjes Bernadeski provoi dhe një roveshatë spektakolare, që të gjithë të pranishmëve iu çoi në mendje golin e Ronaldos vitin e kaluar, por që nuk përfundoi ashtu siç do donte 25-vjeçari.

Megjithatë, sigurisht vëmendjen e mori ylli Ronaldo me golat, por pas tij Bernadeski konfirmoi cilësitë për të cilat Juventusi e transferoi nga Fiorentina.