Sport  Ronaldo ruan pathyeshmërinë e Juventusit me 10 lojtarë

 Ronaldo ruan pathyeshmërinë e Juventusit me 10 lojtarë

Juventus ka arritur të ruajë pathyeshmërinë e saj në këtë sezon të Serisë A pas barazimit 2-2 të marrë me dhjetë lojtarë në fushën e Atalanta-s, që mbetet pa fitore në 27 ndeshjet e fundit të luajtura kundër bardhezinjve.

Gjithçka ka nisur mirë për kampionët në fuqi të Italisë, por jo për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i cili ka realizuar një autogol në minutën e dytë të takimit.

Kur mendohej se Juventus do të merrte një fitore të lehtë, vendasit janë kundërpërgjigjur në   minutën e 24-t me Duvan Zapata, i cili ka realizuar golin e barazimit 1-1.

Pjesa e dytë ka filluar keq për “Zonjën”, që ka mbetur me dhjetë lojtarë në minutën e 53-të pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Rodrigo Bentnacur.

Zikaltrit e kanë shfrytëzuar pothuajse menjëherë superioritetin numerik, duke shënuar golin e dytë në minutën e 56-të. Ky gol ka detyruar trajnerin Allegri- të aktivizojë Cristiano Ronaldo-n, i cili duhej të kishte qëndruar pushim në këtë ndeshje.

Portugezi ia ka shpërblyer besimin trajnerit të Juventus me golin e barazimit 2-2 të shënuar në minutën e 78-të me një goditje me kokë brenda zonës së rreptësisë, ndaj së cilës portieri Berisha nuk mund të bënte asgjë.

Në minutën e parë të kohës shtesë ka ardhur edhe goli i tretë i miqve, i realizuar nga Bonucci, por që është anuluar për pozicion jashtë loje.

Kështu, bardhezinjtë kanë marrë një pikë të çmuar në  Bergamo dhe kanë thelluar me 9 pikë diferencën ndaj Napoli-t, që mban vendin e dytë në renditje dhe që do të luajë sot në mbrëmje në “San Siro” kundër Inter-it.

Në ndeshjet e tjera, Lazio ka mundur 2-0 Bologna-n dhe ka përforcuar vendin e katërt. Sampdoria ka fituar me të njëjtin rezultat në fushën e Chievo-s dhe është ngjitur në vendin e pestë. Cagliari është kthyer te fitorja pasi ka mundur 1-0 Genoa-n në shtëpi,  ndërsa Parma-n ka fituar me të njëjtin rezultat në fushën e Fiorentina-s.