Sport Ronaldo “shkarkon” Rangnick, i vendos ultimatum United: Ose unë, ose ai

Ronaldo “shkarkon” Rangnick, i vendos ultimatum United: Ose unë, ose ai

Cristiano Ronaldo mund t’i thotë lamtumirë Manchester United në fund të sezonit. Pavarësisht paraqitjeve të shkëlqyera në fushë (14 gola dhe 3 asiste në 21 ndeshje) dhe lidhjes mes portugezit dhe tifozëve, sipas zërave të fundit të disa tabloidëve anglezë, CR7 në fakt po mendon lamtumirën në qershor për shkak të raportit të vështirë me trajnerin Ralf Rangnick.

Kontrata e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” do të skadojë në vitin 2023, por Ronaldo ka kërkuar qartësi se kush do të jetë trajneri i ardhshëm i klubit. Pra, e ka bërë të qartë se ai do të duhet të jetë sipas dëshirës së tij.

“Merrni trajnerin e duhur ose largohem” – titullohet në faqen e parë të “Mirror Sport”, por edhe “Daily Mail” e “Star Sport” i konfirmojnë zërat se Cristiano Ronaldo nuk ka raport të mirë me Rangnick dhe bashkëjetesa mes të dyve duket më të vështirë se sa pritej. Një situatë që do ta rrisë shumë presionin ndaj drejtorit të ri të klubit, Richard Arnold, i cili do të duhet të zgjedhë trajnerin e ardhshëm.

Rangnick, i cili mori postin e trajnerit të përkohshëm në fund të nëntorit, pritet të marrë rolin e ‘Këshilltarit të Lartë të Futbollit’ në “Old Trafford” sezonin e ardhshëm, me një kontratë 2-vjeçare, dhe për rrjedhojë të mos jetë më në stol. Edhe për kënaqësinë e Cristiano Ronaldos.