Sport Rosell: Do ta blija sërish Neymar, vetëm Messi është më i mirë...

Rosell: Do ta blija sërish Neymar, vetëm Messi është më i mirë se ai

Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, tha se do të përpiqej të nënshkruante me superyllin e PSG, Neymar, nëse do të mbante postin e dikurshëm, sepse ai është lojtari i dytë më i mirë në botë, pas Lionel Messi. Braziliani u largua nga Blaugrana-t si transferim rekord botëror (222 milionë €) në vitin 2017, por nuk ka “ngjitur” si duhet te parizienët.

Rosell ishte president, kur Barça nënshkroi me Neymar nga Santos në vitin 2013. Edhe tani, 56-vjeçari e vlerëson shumë brazilianin. “Nëse do të isha president i Barçës, do të përpiqesha të nënshkruaja me Neymar, – tha Rosell për COPE dhe “Radio Marca”. – Ai është lojtari i dytë më i mirë në botë, pas Messit, dhe përshtatet në mënyrë të përkryer me filozofinë e klubit”. Neymar shënoi 13 gola në Ligue 1, para se kampionati francez të pezullohej për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe të mbyllej përfundimisht para kohe, me PSG kampion.

Barça, ndërkohë, është e interesuar të nënshkruajë me yllin e Interit, Lautaro Martinez, në fund të këtij sezoni. Sidoqoftë, zikaltrit kanë këmbëngulur që Martinez nuk do të shitet nëse nuk përmbushet klauzola e tij e lirimit, 111 milionë €. Rosell, megjithatë, beson se Barcelona nuk duhet të paguajë një tarifë kaq të lartë. Në vend të kësaj, ajo duhet të përpiqet për një marrëveshje shkëmbimi: “Unë nuk do ta blija Lautaro për 111 milionë €, por do të përpiqesha ta shkëmbeja me dy lojtarë”.