Sport Rrëfehet nëna e Messit: Nuk e prisnim “Topin e Artë”. Kemi një...

Rrëfehet nëna e Messit: Nuk e prisnim “Topin e Artë”. Kemi një borxh ndaj Argjentinës

Familja e Lionel Messi zakonisht i shmang kamerat, mikrofonat e gazetarëve dhe çdolloj kontakti me shtypin. Nëna e tij, Celia Cuccittini, vendosi ta prishë për disa minuta këtë rregull, duke treguar krenarinë që biri i saj fitoi të gjashtin “Top të Artë” në karrierë. Një vlerësim i punës dhe talentit të pacak, që ka treguar Messi me Barcelonën dhe kombëtaren argjentinase.

“Jam super e lumtur. Ne nuk e prisnim, menduam se i pesti “Top i Artë” do të kishte qenë i fundit për të. Kjo surprizë ishte vërtet e bukur. Po ta dinim, do të rrinim pak më gjatë atje, sepse u kthyem më 10 nëntor. Ne nuk e prisnim fare. Ai as nuk e ka pritur. Nuk e di nëse Leo e mësoi disa minuta para se ta merrja vesh dhe unë, por si familje nuk dinim asgjë”, – tha mamaja e yllit të Barcelonës për programin “El Espectador”, që transmetohet në “CNN Radio”.

Celia tha se iu ishte kërkuar që të xhironin një video nga Rosario në rast se do ta fitonte çmimin, por në fund hoqi dorë: “Ideja ishte që të bënim një video të gjithë nga këtu, por fëmijët janë më spontanë se ne. Kishim pak kohë në dispozicion dhe në fund nuk e bëmë”. Fama që Lionel ka në mbarë botën merr lavdërime, por edhe kritika. Mamaja e gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë” pohon në këtë pikë: “Kritikat nuk e lëndojnë, por mohimi i përkushtimit që ka me Argjentinën. Ka disa njerëz, që mendojnë e gjykojnë në mënyrë poshtëruese. Kjo, pa dyshim, më dhemb shumë si nënë e Messit. Natyrisht, është e pamundur në këtë botë që të pëlqehesh nga të gjithë dhe kjo nuk përbën problem”.

Sidoqoftë, mamaja nuk e fsheh “borxhin”, që ata si familje ndiejnë se i kanë ekipit kombëtar: “E gjithë familja e di se i detyrohemi një borxh Argjentinës, por kush tjetër sa Leo nuk do të dëshironte ta fitonte një Kupë Bote, ose një “Copa America”. Mund të thuash që ai luajti keq, por jo që nuk ka përkushtim sa te Barcelona. Kjo nuk është aspak e vërtetë, na lëndon vërtet shumë”.

Ndërsa Leo fillon të flasë për “tërheqjen e tij”, Celia reflekton mbi rrugën që ka përshkuar figura më e madhe e futbollit botëror: “Të gjithë kanë qenë gjithmonë të ngazëllyer me Messin. Pavarësisht se cila ishte karriera e tij, ai vazhdon të na befasojë dita-ditës. Përveç asaj që jep në fushën e lojës, Leo është mbi të gjitha shumë njerëzor. Të gjithë fëmijët e mi, të katër, janë shumë afër njëri-tjetrit dhe njerëz të shkëlqyeshëm, kjo është gjëja kryesore. Pavarësisht famës që ka në futboll, Leo ka mbetur një djalë kaq i mirë, i shkëlqyeshëm”.

Nipi i saj, Mateo, u bë fenomen “viral” në të gjithë botën me reagimin që bëri, kur babai fitoi të gjashtin “Top të Artë”, të hënën në mbrëmje. Në fakt, i tillë shfaqet përherë para kamerave. Mamaja e Messit tregon lidhjen me nipërit: “Lionel dhe Antonela vazhdimisht më dërgojnë video të nipërve të mi. Bisedojmë gjatë gjithë kohës, edhe kur ata janë duke bërë detyrat e shtëpisë. Ata më emocionojnë me çdo gjë që bëjnë. Dua të them që kam tetë nipër e mbesa! Çfarë mund të të thotë një gjyshe për nipërit e mbesat e saj? Ata janë jeta ime”.