Kulturë Rrëfehet Spanja Pipa, artistja që theu tabutë

Rrëfehet Spanja Pipa, artistja që theu tabutë

“Devis Xherahu dhe këngëtarja korçare Spanja Pipa, e cila sot është 83 vjeçe, rilindin serenatën e vjetër korçare të viteve ‘50-ë “Ti ma more zemrën”.

Serenata – kjo “pupë korçare e bukur”, që të josh të prekësh, të ëmbëlson e të ndjesh deri në shpirt ngrohtësinë e ledhatimeve të saj. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra, këndon shpirti. Serenata – kjo lidhje shpirtërore e fenomenit me esencën e ndjenjave dhe lindur nga perëndesha e tyre:Dashuria! Serenatat janë himni i veneracionit të dashurisë eternale. Sa herë i kthehem vendlindjes, aq më shumë më shtohet malli për to, që gjithmonë më shtyjnë në ngasje për t’iu bashkuar nostalgjikëve të pandreqshëm –serenatistëve të Korçës tonë, e cila prodhon çdo cast; Art dhe Artistë, që mbi të gjitha pëlqejnë Olimpin e heshtjes së lavdisë së tyre. Në magjinë e Olimpit të serenatave kanë vegjetuar e vegjetojnë breza të tërë serenatistësh. Në brezat e artë të serenatës, -Himnit të dashurisë korçare –sikundër shprehet Prof. Vangjush Ziko-në librin e tij, ndër to është edhe serenatistja e parë korçare -Spanja PIPA-që duket sikur del nga Muzeu një shekullor e gjysëm i magjisë së këngës korçare, sikur del nga Epokat e Trashëgimisë të Artit e Kulturës qytetare korçare. Këngëtarja korçare Spanja Pipa ka lindur në qytetin e bukur dhe të mrekullueshëm të serenatave, Korçës, bija e Theodhorika Pipës, i njohur në zejtarinë e këpucëve, porse fëmijët e tij do të ndiqnin rrugën e artit dhe të mjekësisë. Spanja vetë është rritur mes serenatave dhe vazhdon të jetojë me serenatat dhe këndon serenatat. Ajo është dhe mbetet artistja e njohur korçare, nostalgjia e pashuar e bashkëqytetarëve të saj me emrin e artit: Spanja Pipa. Idhujt e saj: Anita Take dhe Pavlina Nika. Edhe diçka tjetër; Emri i saj i vërtetë është Espiana, e pagëzuar nga një arumune, mike e fëmijërisë e gjyshes së saj nga familja e dëgjuar e Petoshanëve të Korçës. Por, nga që gjyshja e pati të vështirë t’a shqiptonte atë emër, ajo e thërriste “Spanja”! Në këtë rrëfim emocionues e mbresëlënës, Artistja korçare rrëfen si kurrë ndonjëherë dashuritë e jetës së saj-Dashuria për Serenatën, Korçën dhe familjen. Dhe jo vetëm kaq! Me guxim intelektual e qytetar, me pjekurinë e saj artistike, me dlirësinë dhe brishtësinë e saj femërore, Spanja nuk ngurron e na tregon edhe për dashurinë e saj të parë që kalon përtej eternitetit. Me mirënjohje, dashuri dhe respekt, ajo përmend breza të tërë serenatistësh që nuk jetojnë më, dhe ata që sot vazhdojnë të mbajnë frymën e origjinalitetit të serenatës korçare. Por Spanja nuk është vetëm serenatistja e parë korçare, ajo është parodiste dhe aktore që ka luajtur krahas aktorit të shquar korçar të skenës, humorit e artit skenik, Aleko Prodani dhe aktores parodiste Lefkothe Kane, Pandi Rraidhit, Sotiraq Bratkos etj.etj. Ajo ç’ka e bën këtë intervistë shumë interesante të bukur e emocionale, është se Spanja çdo pyetje i përgjigjet me serenatën ndër buzë…

Në moshën 83-vjeçare me hirësinë e syve të jeshiltë dhe fisnikërinë e moshës, me zërin e saj “Gold”, ajo risjell serenatën e vjetër të viteve ’50, “Ti ma more zemrën” në duet bashkë me këngëtarin e njohur korçar të serenatave dhe muzikës së lehtë, Devis Xherahu. Ja si shprehet vetë artisti i njohur korçar Devis Xherahu për këtë bashkëpunim: “Pasi bëra një koncert ku këndova serenata dhe u pëlqyen, mendova të rikthehem sërish në identitet të rikthehem tek serenatat. Rikthmin e pare, vendosëm ta bëjmë me Spanjën, një këngëtare e vjetër e serenatave korçare, e cila është 83 vjeçe tani, dhe është modeli i një artisteje të kompletuar i brezit të artë të serenatistëve korçarë, që nga gjyshi im, Grupi “Lira”, dhe brezave të vjetër e të rinj të serenatistëve, pa të cilët nuk do të kishim këto perla që kishim sot. Spanja Pipa është një nga gurët e rëndë të serenatës korçare”! Për më shumë ndiqni bisedën!

Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Përshëndetje znj. Spanja, jeni me një karrierë të gjatë e të admirueshme në artin e muzikës, e njohur si këngëtare e serenatave. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni kënduar për herë të parë dhe cila është kënga e parë? Cfarë viti?

Kam filluar të këndoj që në moshë të vogël, nuk e mbaj mend mirë sa vjeçe isha. Në shtëpinë time këndonin që nga babai, motrat dhe vëllezërit e mi. Unë ulesha pranë tyre dhe mundohesha të kapja e belbëzoja fjalët e tingujt e këngëve që këndonin ata. Dëgjoja cdo ditë në radio Anita Take dhe Pavlina Nika, këngëtare që rrallë i vijnë një kombi. Gjithashtu miqësia e familjes sime me kompozitorin e shquar korçar Pavllo Sholla, i cili më dëgjoi mua dhe motrën time duke kënduar një duet, do të ishte fillesa e karrierës sime në rrugën e bukur të muzikës. Dhe ishte pikërisht Pavllo Sholla që bëri zgjedhjen time dhe më mbështeti. Kënga e parë që kam kënduar ishte një këngë kineze, e cila doli me sukses për atë kohë. Që prej atij casti jam ndjerë se diçka mund të jepja në artin e muzikës, megjithëse ishte shumë e vështire të këndoje atëherë për mentalitetin e kohës. Por origjina ime nga një familja autoktone, intelektuale e qytetarisë korçare, artdashës të kulturës e muzikës korçare, më mbështetën mua në udhën e mrekullueshme e të bukur, të artë të këngës, veçmas asaj të traditës së qytetit tonë, serenatës, të cilën e vazhdova derisa dola në pension. Më pas u aktivizova dhe kam kënduar në estradën e ushtarit një këngë lirike dashurie e cila ka lënë mbresa të jashtëzakonshme në kujtesën time:

“Kur u nis ushtar me tha nja dy fjalë”. I këndoja dashurisë së një djaloshi që po largohej nga e dashura e tij, të kryente shërbimin e detyruar ushtarak të asaj kohe.

Fillimet e karrierës tuaj a konsideroheshin thyerje e tabuve, për mentalitetin e kohës?

Në vitin 1960-ë fillova punë si këngëtare-soliste në Estradën e Qytetit të Korcës me regjisor artistin Aleko Skalin, dirigjent muzike, dhe me Abas Ajron, një ndër kompozitorët më të mirë e të shquar të kulturës e muzikës korçare. Ju më pyesni a ishte tabu kjo? Sigurisht që ishte! Me sakrifica, guxim, kurajo, talent dhe mbështetjen e artistëve e shoqërisë korçare, dhe të prindërve të mij, unë sfidova dhe vazhdoja të jepja sa kisha mundësi nga potenciali im artistik.

Deri më parë, ato vajzat korçare thjesht i kishin dëgjuar serenatat nga pas perdes, deri në momentin kur vetë edhe ju si Spanja do të bënit diçka të tillë…Si e ke përjetuar këtë nismë artistike?

Shumë vetë më identifikojnë; “Spanja e Serenatave”-por unë nuk dilja të bëja serenatë, – unë i këndoja serenatat mbas dritares duke mënjanuar perden, teksa dëgjoja e shikoja djelmurinë korçare të këndonin në rrugicat e Korçës-serenatat. Dhe kjo tashmë dihet se vajzave korçare, djelmuria u ka thurur e kënduar serenata, dhe ato si hyjnesha i dëgjonin mbas perdeve. Serenata është diçka e fshehtë ashtu si vetë shpirti që është i fshehtë. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra, këndon shpirti, këndon zemra. Këngët e serenatës lindin spontanisht. Sigurisht kishte edhe nga ata që nuk ishin kompozitorë apo kantautorë të serenatave, por kompozonin e krijonin serenata kaq të bukura. Dhe ne vajzat i dëgjonim me kënaqësi, sepse ata nuk shkonin vetëm te vajza që ata dashuronin, por shkonin dhe i këndonin me kitarë e mandolinë në dorë në të gjithë sokakët me gurë e të pastër të qytetit të dashur, Korcës sonë, si vetë dashuria e pastër dhe e sinqertë e të rinjve. Ne i dëgjonin këngët dhe e ndjenim veten se ishim brenda serenatës. Ato fjalë e tinguj na dukej sikur i përkisnin jetës sonë: Shpesh pyesja veten: Mos vallë po e këndojnë për mua këtë serenatë? Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se kompozitori dhe fizarmonicisti i shquar korçar Abaz Ajro ja u gjente “telat serenatave”. Këto ishin tamam serenatat, si p.sh ka bërë serenatën “Sofati”. Kjo serenatë lindi për dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati duke qëndisur apo bënte centro me grep, pra pajën e saj:

“Shkoj përditë rrugës sate si më parë/por më parë të kisha ty/dhe sot kam mallë/”

Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh). Serenata tjetër e Abaz Ajros: “Ti më erdhe në netët e qeta”

Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartte kjo serenatë. Jeta ka çaste të bukura çaste mërzitje e gëzimi, veçmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjeçe dhe isha nën”ethet” e dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike dhe po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti: -Çfarë ke?

Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që do të sillte tekstin e serenatës, që përmenda më lart: “Ti më erdhe në netët e qeta! Po ky çast melankolie e mërzitje solli edhe këngën tjetër “Festë sonte ka e gjithë bota”

Përveçse si këngëtare e serenatave dhe muzikës popullore, cfarë talenti tjetër keni shpalosur?

Unë nuk kam kënduar vetëm serenata, por kam qenë edhe aktore, luaja parodi dhe theatër. Kam luajtur parodi, krahas parodistes Lefkothe Kane, dhe aktorit të shquar të skenës e humorit shqiptar, Aleko Prodani, që ishte miku im më i mirë dhe i zemrës, miku dhe bashkëpunëtori më i ngushtë, dhe me rolet e mija në theatër. Kam qenë krenare dhe e lumtur që kam aktruar krahas këtij aktori të madh shumëdimensional i skenës shqiptare, por që fati u tregua kokëfortë me ne të dy, por edhe të ndahej shumë shpejt nga jeta. I paharrueshëm do të mbetet për mua si aktore, roli i Maries në “Nata e 12-të”, e Shekspirit me regji të të shquarit Piro Mani. Kam luajtur në dramën e Namik Dokles “Era e lartësive”, rolin e Erës, vajzës gjeologe. Këtu kam luajtur në kitare, duke i rënë vetë, dhe duke kënduar me kolegët e mij si Pandi Rraidhi e Sotiraq Bratko (loton e këndon): “Këndo kitarë me mua/por djalin mos ma zgjo/rri sonte ti me mua/tërë natën e këndo/edhe nesër kur të gdhihet/asgjë mos trego//se edhe unë përgjërohem/prandaj po të këndoj/.”

Kjo është serenata! Jo ajo e deformuara që këndojnë sot!

Më lart ndave me mua një moment mërzitje. Pse ishe e mërzitur? Lotët rrjedhin o nga gëzimi o nga trishtimi dhe një vajzë e bukur dhe me sytë jeshilë e të veçantë, si ju por edhe e dashuruar, çfarë kishte ndodhur?

Miqësia dhe kënga janë të lidhura me njëra tjetrën sikundër është dashuria me dhimbjen, apo ndarja, apo tradhëtia e mikut të zemrës – dhimbje e bukur është dashuria, apo jo…? (Buzëqesh dhe fillon të këndojë):

“Ti më erdhe në netët e qeta/në krahët e mij si demon/më dehe me puthjet e fshehta/ si ëndrra që vjen edhe shkon/” Kjo serenatë është për dashurinë time të parë, për mikun e zemrës sime… Ajo serenatë solli edhe tjetrën e tjetrën, që janë zinxhir në kujtim të dashurisë e miqësisë sime të parë, që jeta na hodhi në kahe të kundërta, por gjithsesi ajo vazhdoi me të mirat e të trishtat e ndarjes…. Sa e dëshpëruar isha aq edhe e lumtur, kur këndoja, sepse këto këngë ishin shpresë e optimizëm, për të përballuar humbjen e dashurisë, ndarjen, me dhanë forcë e kurajo, për të kënduar dhe gëzuar jetën në vazhdim…

“Sonte festë ka e gjithë bota/ botë moj gjithmonë pac gëzim/ verë e kuqe derdhet nëpër gota/ bora jashtë shtrohet si qilim/ Të gjitha shoqet në gostira vanë/ vetëm unë sonte nuk festoj/ trimi e zemrës, që se kisha pranë/ me mendime do ta shoqëroj…”. Miku im i zemrës ngjiti shkallët e karrierës dhe u bë një nga artistët më të shquar të humorit, ekranit e skenës shqiptare, por që fatkeqësisht nuk jeton më. U prehtë në Paqe!

Një moment i vështirë?

Momenti më i vështirë në jetën time ka qenë vdekja e nënës sime në moshë relativisht të re, por iku edhe me brengën që nuk më martoi. Nuk më hiqet nga mendja, nata e një koncerti me pjesëmarrjen e njerëzve të pushtetit në Korçë. E kemi dhënë te lulishtja e njohur me emrin simbolik “Panda”. Vetëm pesë ditë, që nëna ime e shtrenjtë ishte ndarë nga jeta. Unë vërtet këndova, paçka se zemra më këndonte dhe sytë lotonin. Ishte moment tejet i vështirë e mbresëlënës në jetën time. Por edhe ideja se nëna ime ishte në qiell dhe unë në tokë –këndoja mes hyjnores e njerëzores.

Një situatë mbresëlënëse?

Pak kohë të ndarjes nga jeta të nënës tonë u fejua vëllai i madh. Ndjemë gëzim, aq më tepër, që ky gëzim erdhi mbas hidhërimit e dëshpërimit për nënën. Ashtu të trishtuar sikundër ishim në familje për mungesën e nënës tonë në orën 12 të natës dëgjojmë një grup djemsh që këndonin jashtë (shokët e vëllait) –që dëshpërimin ta kthenin në gëzim, duke i kënduar serenata vëllait e të fejuarës së tij. Ndërkohë çohem dhe hap derën dhe i mirëpresim ata djem duke kënduar serenatën: “Oh këtë dritare sa herë e kam parë/ hënën lozonjare dhe ne me kitarë”. Për një çast harruam trishtimin që kishte ngërthyer familjen tonë, dhe na sollën gëzim e hare, së bashku me shpirtin e nënës që na vështronte nga qielli. Dhe dicka tjetër; Babai im ishte nostalgjik dhe dashamirës i pandreqshëm i muzikës –e shpreh me fjalën popullore të dialektit korçar -“Bekri”- ia thoshte edhe gotës së rakisë dhe këngës. Ishte aq i dhënë pas muzikës sa babai para se të ndahej nga jeta gjithmonë shokëve iu thoshte në bisedë e sipër: “ Mos më qani kur të vdes/ por më këndoni! Ditën e parë të vdekjes së babait nuk mundej të këndonim, sipas traditës dhe riteve të lamtumirës së fundit, por ata shkuan më të nesërmen te varri i babait dhe kënduan me kitarë, si Ilo Trebicka, Mico Plluska, Koli Toroveci dhe Lako Pema.

Momente mbresëlënëse kam shumë, unë kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj në gëzime familjare, të motrës e vëllezërve, nipërve e mbesave. Gjithashtu me shoqëri mblidhemi akoma dhe këndojmë. Kënga dhe Serenata më mbajnë optimizmin e shpresën, na mbajnë gjallë, pavarësisht se mosha bën të vetën dhe ne mplakemi (qesh me shpirt e nis këndon):

“Se do plakesh, do thinjesh si dele/do shurdhohesh, do krusesh një ditë/ do të shkojnë të ëmblat përkëdhelje/ dhe buqeta me lule mos prit!” Por mos u trishtoni se serenata dhe dashuria nuk njohin mplakje… kanë vetëm përjetësi…

Ndryshimi mes serenatave të vjetra dhe atyre që këndohen në ditët e sotme. Madje së fundmi ju risollët duet me këngëtarin e njohur të serenatave dhe muzikës së lehtë Devis Xherahu, serenatën e vjetër të viteve ’50; “Ti ma more zemrën”. Si lindi ideja dhe realizimi i këtij bashkëpunimi dhe dueti kaq të veçantë me vlera të veçanta artistike dhe trashëgimie!

Për mendimin tim serenata e kohës sonë ka qenë një serenatë brilante. Ndjehem keq e kam shprehur gjithmonë se kur dëgjoj sot, ta deformojnë serenatën sipas dëshirave apo kopjimeve që i bëjnë nga muzika e huaj, sepse jo cdo këngë që krijojnë dohet ta quajnë serenatë. JO, cdo tinguj apo muzikë quhet serenatë! Prandaj e përsëris me ndjenjën e artistit -serenatist, serenata ishte sekreti i zemrës, sepse e këndonte sinqeriteti i zemrës, e këndonte sekreti i shpirtit, këndonte ndjenja, këndonte dashuria-sepse këngës, muzikës, po nuk i dhe ndjenjën, nuk mundesh ta këndosh. Të këthehemi te dueti me Devin.

Rastësia është e veçantë. Më merr Pandi Laço në telefon, dhe më thotë; Të lutem Spanja dëshiroj të vish të marrësh pjesë në Shown televiziv të Vizion+ “Këngë Moj”, në “Natën e serenatës korçare! I them se nuk mundem të vij dot, për shkak të moshës dhe të pandemisë. Mirë mike, unë do të dërgoj një këngëtar që të flisni për këngët e serenatës, autorësinë apo mosnjohjen e autorëve të serenatave të vjetra korçare. Pandi Laço më dërgon një këngëtar, nuk më tha emrin, dhe kur trokiti dera unë shoh që ai ishte Devis Xherahu. Me Dev Xherahu kam një kujtim jashtëzakonisht mbresëlënës kur Devi u kthye nga Greqia dha një koncert të bukur dhe madhështor në stadiumin “ Skënderbeu” në qytetin e Korçës, 2008. Unë me shoqet e mija shkuam ta ndjekim këtë talent të mrekullueshëm që po shkëlqente në artin dhe muzikën shqiptare dhe atë greke. Kur nga mesi i koncertit dëgjoj një zë: “Përshëndetje Spanja” dhe duartrokitje, kur u ngrita shikoj që ishte Dev Xherahu! Biseduam të dy me Devin kënduam të dy dhe na lindi aty për aty, biles atë moment idea. Këndonte Devi, këndoja unë, dhe vendosëm të bënim duet “Ti ma more zemrën”, një duet që vërtet ia vlejti jo vetëm për moshën që unë kam tani por edhe për trashëgiminë e serenatës korçare ndër breza.

Përveçse serenatave dhe si aktore, a keni kënduar këngë të muzikës së lehtë apo popullore?

Sigurisht që kam kënduar këngë popullore të kompozuara nga Abaz Ajro, Pavllo Sholla dhe nuk mund të lë pa përmendur me respekte e mirënjohje kompozitorin e shquar të muzikës së lehtë e popullore, Josif Mingën. Ja këngën e parë popullore që kam kënduar: “Të erdha në porta, gjeta ca fëmijë/brenda nuk hyra se nuk ishe ti/nëna seç më nxorri gotën e rakisë/unë nuk e piva se nuk ishe ti!” Po ju sjell një këngë popullore, që mu ngjit si “pullë postare’. E kam kënduar duet me Niko Qiricin: “ Që nga majë e malit/ta shtira dylbinë ty/nga të gjitha cupkat/ më e bukura je ti/-ndërsa unë i përgjigjesha: “ them të rri beqare/them të mos martohem/si vapë e korrikut/digjem përvëlohem”. Dhe vërtet u “përvëlova”, se unë nuk u martova, mbeta beqare.

A i keni mbledhur serenatat që ju keni kënduar në CD?

Me sakrifica të mëdha, arrita të bëja një CD-i me serenatat e vjetra, të nxjerra nga “sëndyqi i serenatave”. Kënaqem kur i dëgjoj dhe mallëngjehem në të njëjtën kohë. Gjithashtu kënaqësia ime është kur shumë fansa të mij nostalgjikë të pandreqshëm të serenatës ma kërkojnë këtë CD-i. Ja një moment tepër mbresëlënës. Para do kohe më erdhi një mik i fëmijërisë, por edhe një nga fansat e mi më të “çmendur”, emigruar prej 10 vitesh në USA, 24 karat korçar -Orjon Trebicka. Për hir të së vërtetës edhe Orioni ka pasë kënduar serenatën dikur, si tërë djalëria korçare. Jemi takuar me plot mall e përzëmërsi, kujtuam plot mbresa dhe filluam të këndonim serenatat, që këndonim dikur te sofati i portës. Ajo ç’ka më bëri mua krenare e të lumtur se ai i këndonte serenatat plot pasion, ruante me nostalgji e fanatizëm tingujt melankolikë e të ëmbël të serenatës, sa as vetë nuk e kuptonim që po këndonim, dhe lotë na rridhnin nga sytë e të dyve, sigurisht ishin lotë gëzimi, lotë malli –lotë miqësie e shoqërie. Të vecantë janë edhe dy vëllezërit e mij, që vazhdojnë t’i këndojnë serenatat. Vëllai i madh ka kënduar me djelmurinë korçare në rrugicat e pastra me kalldrëm të Korçës. Vëllai tjetër, megjthëse zanati i tij është doktor, i ruan dhe i këndon të gjitha serenatat origjinale dhe plot të tjera këngë, dhe është aq origjinal, sa bën edhe vërejtjet e duhura kur gabon ndonjë tingull apo stonon—duke më qortuar e thënë se duhet kështu. Dhe pikërisht është ky vëlla doktor që ashtu sikundër jep ‘ilaçin e duhur” për të shëruar pacientin e sëmurë, ashtu jep edhe mesazhin: Të ruajmë serenatën si një perlë e trashëgimisë e traditës së qytetarisë korçare. Mesazh të cilit i bashkohem edhe unë.

Çfarë dëshiron të shtosh në mbyllje të kësaj interviste…?

Në mbyllje të kësaj interviste dëshiroj të bëj homazhin solemn e shpirtëror, për ata serenatistë të pandreqshëm, kantautorë e artistë, njerëz modestë, por shumë të nderuar e respektuar, që kanë dhënë shumë nga talenti dhe shpirti i tyre, por që nuk jetojnë më, sikundër: I mirënjohuri Piro Sulioti, do e quaj të madhin e të pavdekshmin Abas Ajro, Sotiraq Mite-apo Raqka i serenatave, një nga kantautorët më të njohur i viteve ’50, të shekullit të kaluar, Sotiraq Qanon-princin e serenatave, të mrekullueshmen Afërdita Katundin, kantautorin e ndarë para pak viteve nga jeta Piro Visarin, dirigjentin Aleko Skali, kompozitorin e shquar korçar Pavllo Sholla, Naskë Bicollin, Nesti Miska, Aristidh Themeli, të paharruarin që shpresoj e besoj koha duhet ta vleresojë Nusret Frashërin, Qeti Cicon,etj, etj. Dua të përshëndes, inkurajoj e falenderoj pasardhësit e brezit të artë të serenatistëve, brezin tonë e atë të ri, që i kënduan e vazhdojnë t’i këndojnë serenatat, për ta ruajtur këtë perlë të pazëvendësueshme të trashëgimisë sonë kulturore qytetare korçare, që nga e mirënjohura dhe e talentuara Fatbardha Hoxha, një nga këngëtaret më profesioniste të kohës. Megjithëse kanë kaluar dekada në e ruajmë miqësinë e bashkëpunimin, vazhdojmë të këndojmë serenatat kur mblidhemi me shoqërinë. Do dëshiroja shumë që kritika e artit të muzikës, të hedhë sytë nga Bardha Hoxha, duke i dhënë vlerësimin dhe vendin që asaj i takon në historinë e artit e kulturës shqiptare. Përshëndes e falenderoj Ermira Babaliun, që aty në Amerikën e Largët con peshë zemrat e emigrantëve shqiptarë me serenatat korçare, -të mrekullueshmen e të mirënjohurën Eli Fara, Laxarela Detin-vajzën korçare që i këndon me shpirt serenatat dhe këngën popullore korçare, Mimoza Paravelin –një nga këngëtaret më të spikatura të serenatës korçare, Jorgjeta Lalazin-korçaren 24 karat serenatiste e dalë nga fisi Lalazi- i njohur për serenatat, së bashku me vëllain e saj Koco Lalazi, po ashtu nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli, Ritvan Shëllira, Mihallaq Zallëmi, Naskë Kondili, Kico Sholla, Gjergji Peleshi, Ilia Peleshi Mihallaq Andrea, Ilkë Vinjau, Nonda Kajno, Ermira Kola Strati, vëllezërit Stefi & Endri Prifti, Vaskë Gaqi, Vaskë Nico, Zhani Sulioti, Devis Xherahu, Gena Lito, Maksi Kulla, etj, etj.

Ju faleminderit!