Sport Rrëfimi i Arsene Wenger: Largimi nga Arsenal dhe futbolli më tremb

Rrëfimi i Arsene Wenger: Largimi nga Arsenal dhe futbolli më tremb

Trajneri francez i Arsenal, Arsene Wenger, në një intervistë të dhënë për “Sky Sports” ka pranuar se është i frikësuar nga fakti se një ditë do të largohet nga “topçinjtë”, ndaj beson se misioni i tij te ky ekip nuk ka përfunduar ende.

Wenger festoi sot 68-vjetorin e lindjes dhe në përballjen ndaj Everton dhe si dhuratë për ndeshjen e tij të 400-të në Premier League mori një fitore të thellë 5-2.

Trajneri francez ka nënshkruar me skuadrën e Arsenal 21 vite më parë, ndërkohë që në maj të këtij viti e shtyu kontratën edhe për dy sezone të tjera. “E kam nisur detyrën e trajnerit kur isha 33 vjeç, pra kam 35 vite që drejtoj pa ndalur asnjëherë, një jetë e tërë dedikuar futbollit”, u shpreh Wenger.

“Pse vazhdoj të bëj trajnerin? Sepse më pëlqen kjo punë, pasi kjo është një detyrë ku mund të jap shumë, ku mund të influencoj për mirë në jetën e njerëzve, në dimensionin e futbollit, në vlerat e tij, në rezultat etj. Të mos harrojmë se së pari rëndësi kanë vlerat në sport, gjë që sot po lihet pas dore”, tha më tej trajneri i Arsenal, që kërkon t’i përçojë këto vlera përmes gjeneratave të tëra në futboll, siç dhe ka bërë deri më tani.

Ai e nisi karrierën e trajnerit në vitin 1984 me skuadrën e Nancy dhe më pas drejtoi Monaco dhe në Japoni ekipin e Nagoya, para se të firmoste në vitin 1996 kontratën e parë me Arsenal, ku qëndron prej 21 sezonesh.

Wenger pranon se ka frikë të largohet nga futbolli dhe Arsenali.

“Po, është e vërtetë, pasi çdo fund të vë përballë një të panjohure dhe ti je i frikësuar me atë që të pret. Gjithsesi, unë dua të bëj sa më gjatë atë që di të bëj më mirë, trajnerin e futbollit dhe kjo më motivon për të vazhduar. Në këtë detyrë nuk kam frikë. Unë jam tërësisht i fokusuar tek Arsenali dhe e ardhmja këtu”, tha më tej trajneri francez.

Ai falënderoi familjen e tij që e ka mbështetur në gjithë këto vite edhe pse i është dashur të qëndrojë shumicën e kohës në fushë.

Ai synon të rikthehet triumfues këtë sezon me Arsenal në Premier League.