Sport Rrëfimi i Bogdanit: Do të doja të kisha luajtur kundër Serbisë

Rrëfimi i Bogdanit: Do të doja të kisha luajtur kundër Serbisë

Ish-sulmuesi i kombëtares sonë, Erion Bogdani ka rrëfyer disa nga momentet më të veçanta në karrierën e tij. Ai tregon planet e të ardhmes dhe disa episode si trajner i ekipeve kombëtare.

Kombëtarja U19

“Ishte eksperiencë pozitive. Falenderoj Armando Dukën dhe federatën për mbështetjen. Në këto 3 vite e gjysme si pjesë e stafit të De Biazit dhe më pas si trajner i U-19 do të më shërbejnë shumë. Në punën me ekipet e moshave rezultati nuk është primar. Kemi luajtur kundër ekipeve të forta, me pak fat disa rezultate mund të ishin në favorin tonë”, u shpreh fillimisht për “InTv” Bogdani.

E ardhmja

“Largimi im ishte një ndarje me konsensus midis dy palëve, sepse dua të vazhdoj karrierën si trajner. Tani do të kthehem në Itali. Kam folur me menaxherët për të kontaktuar ndonjë skuadër, pasi më pëlqen të stërvit dhe të bëj trajnerin. Shpresoj të gjej një skuadër që të jap eksperiencën time”.

Momentet e vështira

“Çdo futbollist ka momente të vështira. Eksperienca negative kam pasur prej dëmtimeve. U bëj thirrja lojtarëve që në rast dëmtimesh të punojnë fort për tu rikuperuar, pasi futbolli do sakrificë. Golat më vendimtarë me kombëtaren i kam bërë në transfertën e Ukrainës në një ndeshje që përfundoi 2-2. Si kundërshtarin më të vështirë do të veçoja mbrojtësit Stam, Maldini, Samuel, Kanavaro apo Turam. Mbrojtës që e kam pasur të vështirë t’i kaloja, por edhe u kam shënuar”.

Ekipi kombëtar

“Do të doja të kisha luajtur kundër Serbisë. E kam ndjekur nga televizori dhe ishte shumë emocionuese. Ka qenë ndeshje e bukur, për mendimin tim, nëse ndeshja do të vazhdohej të luhej, do ta fitonim ne”.