Sport Rrëfimi i Mbappe: Në verë doja të shkoja vetëm tek Real, tani...

Rrëfimi i Mbappe: Në verë doja të shkoja vetëm tek Real, tani s’e di çdo të ndodhë

Kylian Mbappe shkakton tërmet te PSG. Ylli francez, në intervistën dhënë për “L’Equipe”, shpreh hapur vullnetin për t’u larguar nga klubi parizien. Ai tregon prapaskenat e një vere të gjatë dhe rraskapitëse.

“Fillimisht, kisha kërkuar një periudhë reflektimi. Para Europianit, i thashë klubit se nuk dua të rinovoj dhe pas turneut, thashë që doja të largohesha. Ambicia ime ishte që të gjithë të ecim dorë për dore, si klubi shitës ashtu edhe klubi blerës dhe unë. Doja të bënim marrëveshjen më të mirë të mundshme në mënyrë që të gjithë të përfitonin. Gjithashtu doja t’i jepja kohë klubit tim për të gjetur një zëvendësues, që të gjithë të ishin të lumtur dhe që unë të vazhdoja në rrugën time. Më pas, klubi vendosi të mos më shiste. Në rregull, nuk kam pasur asnjë problem, jam ende në një ekip të madh dhe në një vend ku kam qenë i lumtur për katër vjet”.

22-vjeçari shpjegon arsyen që e ndali të përballej “flakë për flakë” me klubin.

“Do të kishte qenë mosmirënjohëse. Nuk do të kisha falënderuar një klub që më mirëpriti në moshën 18-vjeçare dhe më dha shumë për katër vjet. Gjithmonë dua të luaj, të tregoj se jam një lojtar i madh, se asgjë nuk më prek mua, madje as një nënshkrim i frustruar, dhe se mund të bëj diferencën deri në ditën e fundit“.

A mund të ishte mbërritja e Messit në “Parc des Princes” argument për të ndryshuar qëndrim?

“Jo, sepse nuk i kam marrë kurrë vendimet e mia për teka. E kisha marrë vendimin tim dhe e kisha menduar mirë”.

Mbappe e pranon se nëse do të ndahej me PSG-në verën që lamë pas, destinacioni i radhës do të kishte qenë Madridi.

“Sigurisht. Reali i Madridit bëri ofertë (madje disa, nga 160 € në 200 milionë €). U tha se kisha refuzuar gjashtë oferta rinovimi, por nuk është e vërtetë. U tha nuk dëshiroja të flisja me Leonardon dhe se presidenti (Nasser al-Khelaïfi) mori përsipër të zgjidhte çështjen. Arsyet e largimit? Mendova se aventura ime kishte mbaruar. Doja diçka më shumë. Kisha qenë në Ligue 1 për gjashtë apo shtatë vjet. Dhashë gjithçka munda për Parisin dhe mendoj se e bëra mirë. Më pas, të gjithë janë të lirë të nxjerrin çfarëdo përfundimi që duan, por ky ishte vendimi im. Largimi ishte hapi tjetër logjik. Jam i lidhur me PSG-në dhe nëse do të isha larguar këtë verë, do të ndodhte vetëm për Realin.”

Mbappes i përfundon kontrata verën e ardhshme, por sot talenti francez, me te papriturat që rezervon futbolli, nuk “guxon” ta thotë se do të shkojë te Reali.

“Jam kaq gjatë pjesë e futbollit sa e di që e vërteta e djeshme nuk është e vërteta e sotme apo e nesërme. Nëse do të më kishin thënë se Messi do të luante për PSG-në, nuk do ta kisha besuar. Kështu që ne nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Unë nuk do të jem hipokrit. Këtë verë, ambicia ime ishte e qartë, doja të largohesha dhe ta vendosja klubin në kushtet më të mira për të siguruar zëvendësuesi im. Aktualisht, e ardhmja ime nuk është përparësia ime. Tashmë kam humbur shumë energji këtë verë dhe ishte rraskapitëse”.