Sport “Rrëmbim” me helikopter, lamtumirë si në filma për futbollistin (VIDEO)

“Rrëmbim” me helikopter, lamtumirë si në filma për futbollistin (VIDEO)

Një lamtumirë nga futbolli, e denjë për një film hollywood-ian. Episodi është regjistruar në Kategorinë e Tretë të Katanias.

Protagonist ishte 55-vjeçari Ignazio Barbagallo, i cili vendosi t’i jepte fund karrierës në mënyrë krejt të veçantë.

Në fushë po luhej ndeshja ndërmjet Città di Viagrande dhe Play Shop Nebrodi. Në minutën e dhjetë, erdhi momentin i aktivizimit të Barbagallo-s. Ndeshja e tij zgjati fare pak, sepse papritur në terrenin e lojës u ul një helikopter, dhe u inskenua rrëmbimi i futbollistit veteran.

Ngjarja u dokumentua nga disa telekamera, por ndryshe nga 20 vjet më parë, kur tentoi të realizonte të njëjtin skenar, këtë herë kishte autorizimin e kryebashkiakut dhe policisë.

Një lamtumirë, e cila bëri xhiron e botës dhe do të kujtohet gjatë. Festa u prish disi nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Italiane, që e gjobiti klubin e Città di Viagrande me 200 euro dhe i pezulloi fushën deri në fund të sezonit, “për ndërprerje të ndeshjes me paramendim dhe se lejuan uljen e helikopterit në fushë, duke rrezikuar personat e pranishëm”.

Edhe 55-vjeçari Barbagalo u pezullua deri më 30 qershor 2019, sepse “braktisi fushën pa lejen e arbitrit, në mjetin fluturues, ulja e të cilit nuk ishte e autorizuar”.

Një dënim që gjithsesi nuk ndikon për ish-lojtarin, i cili i dha lamtumirën futbollit si aktor i vërtetë.