Bota Rrëmbimi dhe vrasja e adoleshentes në Rumani, ministrja shkarkohet pas “komenteve të...

Rrëmbimi dhe vrasja e adoleshentes në Rumani, ministrja shkarkohet pas “komenteve të papërgjegjshme”

Ministrja Ecaterina Andronescu

Rrëmbimi dhe më vrasja e një 15-vjeçareje në Rumani ka sjellë largime nga puna në qeveri. Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, ka pushuar ministren e Arsimit Ecaterina Andronescu pas komenteve të saj të diskutueshme për rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së adoleshentes.

Dancila tha se vërejtjet e Andronescu për rrëmbimin e adoleshentes tregojnë një “mungesë të mirëkuptimit”.

“BBC” shkruan se 15-vjeçarja Alexandra Macesanu, u rrëmbye në perëndim të kryeqytetit, Bukuresht, të mërkurën e kaluar.

Ministrja e Arsimit Andronescu, tha në një intervistë televizive se 15-vjeçarja duhej ta kishte mësuar “që të mos futej nëpër makina me njerëz të panjohur”.

Kryeministrja shkruajti në një postim në “Facebook”, se komentet e ministres ishin të papërgjegjshme, por zonja Andronescu tha që ajo nuk kishte ndërmend të fajësonte viktimën ose prindërit e saj.

Ministrja e arsimit është zyrtarja e fundit e qeverisë rumune që humbet vendin e punës në lidhje me këtë çështje, që ka shkaktuar zemërim publik.

Edhe shefi i policisë së Rumanisë, Ioan Buda është pushuar nga puna ndërsa ministri i Brendshëm Nicolae Moga ka dhënë dorëheqjen, por kritikët po kërkojnë akoma më shumë dorëheqje.

Autoritetet rumune po kritikohen për një reagim të ngadaltë në lidhje me tre telefonata urgjente që adoleshentja kishte bërë.

Alexandra Macesanu

Çfarë ndodhi me Alexandra-n?

Alexandra Macesanu u zhduk të mërkurën teksa kishte bërë autostop ndërsa shkonte për në shtëpi në qytetin jugor në Caracal. Alexandra e thirri policinë tre herë gjatë rrëmbimit të saj.

Por policia kishte pritur 19 orë për të kontrolluar pronën ku ajo mbahej peng, ku ajo më pas ishte edhe vrarë nga pengmarrësi.

Të martën, xhaxhai i i viktimës, Alexandru Cumpanasu, publikoi atë që ai tha se ishte një transkriptim i telefonatave të mbesës në numrin e urgjencës 112.

Në një bisedë, ajo i lutej një oficeri policie që të mos largohej nga linja sepse ndihej shumë e frikësuar.

Kush është i dyshuari?

I dyshuari Gheorghe Dinca, 65 vjeç, i cili mbahet në paraburgim. Ai i ka thënë policisë se e ka vrarë 15-vjeçaren ashtu siç ka pranuar se ka vrarë edhe një 18-vjeçare tjetër, Luiza Melencu, e zhdukur në muajin prill.

Avokati i z. Dinca, Alexandru Bogdan, i tha agjencisë kombëtare të lajmeve Rumune “Agerpres” se klienti i tij kishte “rrëfyer për krimet e tij”.

Policia gjeti mbetje njerëzore gjatë një kontrolli në shtëpinë e z. Dinca, por ende nuk kanë konfirmuar nëse ato përputhen me ADN-në ose Alexandra ose Luiza-s.

Rezultatet e testeve të ADN-së do të shpallen javën e ardhshme, sipas raporteve të mediave lokale.