Aktualitet Rrëmbimi i peshkarexhës, Egjipti refuzon ekstradimin e pengmarrësit në Shqipëri

Rrëmbimi i peshkarexhës, Egjipti refuzon ekstradimin e pengmarrësit në Shqipëri

Përmes një letër-porosie, autoritetet e drejtësisë egjiptiane kanë refuzuar t’i dorëzojnë Shqipërisë të kërkuarin Adel Muhamet Salam, i cili po hetohet nga Krimet e Rënda për pengmarrje.

Siç thonë burimet, autoritetet egjiptiane që e arrestuan një vit më parë Salam, sapo ai ishte kthyer në vendin e tij së bashku me peshkarexhën e rrëmbyer, i kërkojnë Shqipërisë dosjen e plotë të provave kundër këtij shtetasi.

Por, siç rezulton nga hetimi i Krimeve të Rënda, 31-vjecari është autori i rrëmbimit të dy marinarëve, njëri prej të cilëve u gjet në peshkarexhë, ndërsa për Dhimitër Malajn nuk ka asnjë të dhënë se ku ndodhet, që prej datës 18 qershor 2016.

Nga dëshmia e pengut të shpëtuar në Aleksandri, Luan Mema, Salam, që ishte punësuar gjithashtu si marinar, ju hodhi ilaç gjumi dy shokëve të tij dhe më pas ndryshoi kursin e peshkarexhës “Çelepia 2”, për të lundruar drejt Egjiptit.

Dyshohet se marinari egjiptian u përfshi në pengmarrje pas konflikteve me pronarin e peshkarexhës, të cilit i kërkonte 70 mijë euro, që sipas tij ia kishin borxh, përderisa kishte firmosur një kontratë për ndarjen në përqindje të të ardhurave nga peshkimi. Siç rezulton më tej, marinari Luan Mema u gjet në bordin e peshkarexhës, ndërsa nuk dihet ende asgjë mbi fatin e kapitenit Dhimiter Malaj.