Opinione Rreth tortës të përbashkuar, me një dëshirë, me një qëllim!

Rreth tortës të përbashkuar, me një dëshirë, me një qëllim!

Nga Artan Fuga

Një komb kompaktësohet në shpirt në radhë të parë. Me anë të fjalëve, ndjenjës, përjetimeve kolektive. Jo më kot rilindasit i jepnin rëndësi alfabetit shqip në përhapjen e idesë kombëtare dhe në krijimin e një lëvizjeje kombëtare shtetformuese. Pa komunikimin gjuhësor nuk ka kompaktësim kombëtar.

Por, çfarë lidhjeje ka kjo me historinë e tortës që shqiptarët përcollën me gaz, turp, llafe, nga data 29 nëntor deri në 1 dhjetor 2012, pra brenda një periudhe blic, tepër të shkurtër, pra brenda 48 orësh.

+++

Për ta kuptuar këtë po sjellim dy shembuj që vërtetojnë se si një komb mund të kompaktësohet psikologjikisht ose të provojë se është kompaktësuar, duke përdorur çfarëdo elementi shpirtëror ose material, gjuhën – ka disa, fenë – ka disa, kujtesën historike – ka disa, sikurse edhe me ndjenja kolektive si: frika, turpi, poshtërimi, krenaria etj.

Ka pasur një filozof të njohur në Italinë e shekullit të 19-të, që duke parë vendin dhe italianët disi të çoroditur, të ndarë, pa ndjenjën e një përkatësie kolektive, i cili thoshte se na duhet një luftë që të kompaktësohemi edhe një herë psikologjikisht si komb. Nuk ka rëndësi nëse do ta fitojmë këtë luftë – shkruante G. Gentile, bile më mirë le ta humbasim, sepse me ndjenjën e poshtërimit nga të tjerët, nga të huajt, me ndjenjën e turpit të përbashkët, do të forcojmë lidhjet tona dhe do të ndjehemi pjesë e një kombi të përbashkët.

Nga ana tjetër, antropologu Mauss tregon një shembull se si një fis “primitiv” peshkun e kapur në mëngjes nga ndonjë peshkatar e qarkullonte dorë më dorë, si formë dhurate nga njeri person, peshkatari në fillim, te të tjerët me radhë. Nëse peshku mbërrinte në darkë përsëri në duart e peshkatarit, qoftë edhe i prishur disi, kjo tregonte se uniteti i fisit ishte në formën dhe në lartësinë e duhur, të gjithë ishin në marrëdhënie miqësore me njëri-tjetrin sa kohë kishin dashur t’i bënin dhurata njëri-tjetrit, nëse kjo nuk ndodhte, nënkuptonte se diku uniteti ishte thyer.

+++

Pas ngjarjes qesharake, tragjiko-komike me tortën dhe fatin e saj të merituar në hollin e jashtëm të pallatit të kulturës në Tiranë, pra brenda 48 orësh, shqiptarët nga Presheva në Prishtinë, nga Shkupi në Durrës, nga Berati në Korçë, nga Korça në Athinë, nga Athina në Boston, nga Vlora në Milano, kudo ku ndodhen, nisën të debatonin, diskutonin, flisnin për këtë ngjarje. Mijëra e qindra mijëra postime në internet, miliona komente, video, twiter-a, fjali, analiza e përmbytën hapësirën, cyber-space shqiptare.

Në njëfarë mënyre u krijua një “pëlhurë” e përbashkët rreth kësaj ngjarjeje që nuk ishte parashikuar në asnjë nga skenarët e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë.

Jeta kështu është.

E paparashikuara është shpesh më e rëndësishme sesa ajo që parashikohet, ngjarja jashtë protokollit është më e rëndësishme se çdo ceremoni protokollare.

E çfarë është parakalimi ushtarak para historisë së tortës që u bë përshesh në shesh? Asgjë. Askush nuk do të kujtohet për të.

Fjala kryesore, kryefjala, e kësaj bisede që kaloi kufijtë e Shqipërisë, drejt hapësirave të Shqipërisë etnike, kaloi pastaj edhe këto hapësira për të rrokur të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarë në Evropë dhe në botë, ishte fjala “TURP”.

Pavarësisht se si u pozicionuan, bashkëbiseduesit në këtë hapësirë gjigante komunikimi në internet, në mediat klasike, televizion, radio, gazeta, në gojë analistësh, gazetarësh, komentuesish popullorë, internautësh, pjesëtarë familjesh, nëpër kafene, rrethe miqsh, shkolla, lagje etj., gjithçka u rrotullua rreth fjalës: “TURP”.

“TURP”.

Kjo fjalë e bekuar na kompaktësoi edhe një herë si komb ose provoi se jemi kompaktësuar si komb jo vetëm brenda trekëndëshit ismailqemalbejas: Vlorë – Elbasan – Berat, jo vetëm brenda Shqipërisë së sotme zyrtare, por edhe si komb në territoret ku ka jetuar e jeton etnikisht.

Fjala “turp” na bashkoi, na ribashkoi, provoi se sa jemi ribashkuar si shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve të Republikës të Shqipërisë.

Disa u turpëruan për veprimin që bënë disa të gjorë që donin ta provonin me çdo kusht Tortën e Pavarësisë dhe e kullufitën atë me duar, me gishta, sikurse hanin dikur mbretërit evropianë nëpër bankete. Disa, madje, edhe e mblodhën me legenë, me qese plastike, në xhepa, dhe disa luanin me copa torte si me topa bore.

Këta ishin më të lezetshmit! Duke u turpëruar për ata të paditurit, të paedukuarit, të babëziturit, i quajtën tërthorazi ata si njerëzit e tyre, bashkëkombas, pjesë e një “familjeje” të madhe. Sigurisht, sepse njeriu turpërohet për atë që bën një i afërt i tij, një pjesëtar i të njëjtit kolektiv, bashkësi, sepse kur vepron jo mirë një i huaj, as i bëhet vonë fare.

Të kesh turp për veprimin e dikujt, indirekt, është ta kesh pranuar se është njeriu yt.

Të gjithë ata që u turpëruan, pra, nga Milanoja në Boston, nga Frankfurti në Stamboll, nga Gjeneva në Paris, nga Durrësi në Tiranë, nga Lezha në Korçë, nga Berati në Athinë, dëshmuan me turpin dhe turpërimin e tyre se ndiheshin miq, shokë, bashkëkombas, njësh së pari me tortëshqyesit, së dyti, mes vetes së tyre.

Turpi na ribashkoi.

Si ta ndryshojmë pak atë vargun e famshëm dhe të themi:

“Rreth tortës së përbashkuar!”

Pastaj vijnë ata që u ndien të turpëruar para të huajve. Me mijëra e dhjetëra mijëra edhe këta. Të inatosur, sepse nuk ishin turpëruar për faj të tyre, por për faj të atyre që veç të tjerash ishin nginjur edhe me tortë në sheshin kryesor të kombit. Atje ku turmat ishin shtyrë, ngjeshur e shtypur për të pritur Hrushovin, Çu En Lain, Bejkerin, kishin thërritur për liri dhe demokraci, dhe më së fundi e kishin vulosur kujtesën historike me një orgji të furishme ngrënieje torte.

Fati i këtyre që e quajtën veten të turpëruar përpara të huajve është edhe më i çuditshëm. Edhe ata me turpin e tyre u tretën në një masë homogjene me të gjithë shqiptarët e tjerë. Pse? Sepse duke e quajtur të huajin “Tjetri”, dëshmuan nga Bostoni në Prishtinë, nga Stambolli në Durrës, nga Tropoja në Athinë, se dinë ta dallojnë veten nga të huajt.

Turpi para të huajit u bë edhe ai një mekanizëm konsolidimi i përkatësisë sonë kombëtare.

Kategoria e tretë është ajo e atyre që thanë: “Nuk u vjen aspak turp”, meqë sipas tyre nuk ishte ndonjë ngjarje kushedi se çfarë. Por, edhe kjo kategori, duke mos e quajtur “turp” ngjarjen, në fakt, integroi brenda vetes të gjithë të tjerët sikurse prindi ose vëllai i del në mbrojtje fëmijës dhe vëllait duke shpjeguar se veprimi i tyre nuk kishte ndonjë gjë për të pasur turp.

“Mosturpi” dhe “turpi” u shkrinë midis tyre në një ndjenjë të vetme kolektive dhe u shndërruan në një mekanizëm të vetëm ndërgjegjësimi për kompaktësimin e “shqiptarëve etnikë” kudo ata ndodhen, si komb, pakica kombëtare, pakica kulturore, diaspora emigrimi etj.

+++

Kur Ismail Beu mbante fjalimin në Ballkonin e Pavarësisë në Vlorë, me aq zë sa kishte e dëgjonin fjalimin e tij të famshëm disa dhjetëra persona apo edhe jo aq. Sado fort të fliste. Kurse, sot, në internet ose në TIC (Teknologjitë e Informimit dhe Komunikimit), çdo bir shqiptari që shkruan apo thotë dy fjalë, të mençura ose idiote, të drejta apo delirante, në Boston apo Stamboll, Durrës apo Korçë, i merr vesh në çast i gjithë planeti, të gjithë shqiptarët në botë.

Këto tri simbole që nënkuptojnë tri fjalë që u bënë njësh brenda 48 orëve, nga data 29 nëntor deri më 1 dhjetor 2012, në një debat të madh mbarëkombëtar, rikonfirmuan se shqiptarët ndihen tashmë një komb i tërë i përbashkët brenda ose jashtë territorit të Republikës të Shqipërisë.

Ngjizja kombëtare është afirmuar në planin psikologjik dhe të përkatësisë emocionale rreth një ngjarjeje me interes kolektiv (ngrënia e tortës me duar), e përcjellë nga një ligjërim planetar në internet, i bërë i mundur nga Teknologjitë e Komunikimit dhe të Informimit.

T – Turp!

T – Tortë!

T – Teknologji komunikimi!

Tre “T” që brenda 48 orësh na konfirmuan si një test gjigant online ngjizjen emocionale si komb pavarësisht nga fragmenti territorial ku ndodhet çdo pjesë shqipfolësish.

Një shekull nga ngritja e flamurit që shpallte se shqiptarët jo vetëm kishin identitetin e tyre kombëtar, por edhe kishin ardhur te energjia shtetformuese, deri te “Torta në shesh” që me turpin ose mosturpin që shkaktoi ndër shqiptarët, riafirmoi se pas një shekull ndarjesh, shqiptarët etnikë kudo në botë ishin rinjohur mes tyre si pjesë e një bashkësie kombëtare, që përjeton njëlloj emocionalisht.

Ja përse shekulli nis me ngritjen e flamurit në Vlorë,

në shesh,

dhe përfundon me historinë e tortës në Tiranë,

të bërë përshesh.

Dy ngjarje që nga rëndësia disa edhe mund t’i masin me njëra-tjetrën. Nuk besoj se ai shesh ka pasur shumë ngjarje me po këto përmasa gjigante si kjo e fundit.

Ngjarja nuk do të kishte pasur asnjë vlerë nëse ajo nëpërmjet “video programming” nuk do të ishte shfaqur online dhe nëpër kanalet televizive satelitore anembanë botës. Nuk do të kishte pasur vlerë, nëse nuk do të ishte përcjellë në hapësirën shqipfolëse të internetit, kjo cohë gjigante pëlhure, ku qëndiset ndjesia e përkatësisë emocionale kombëtare.

Ja përse Teknologjia e Informimit dhe Komunikimit (TIK) shënohet me një nga tre “T” e famshme.

Shqiptarët e kanë krijuar kombin e tyre me trimëri. Trimëria këtë radhë u zëvendësua me një ndjenjë tjetër që shënohet me një fjalë që nis po me “T”, por “Turp”.

Nuk i morën këtë radhë muret e kështjellës së lirisë me shpata, pushkë me gjalmë, me guna të hedhura mbi tela, si dikur, por duke ngjitur shkallët e pallatit të kulturës me legenë, qese plastike, garuzhde në duar.

Kështjella jonë e solidaritetit kombëtar është ndërtuar me trimëri dhe gjak martirësh, por qysh pardje edhe me krem torte dhe ndjenjën e turpit të legjitimuar apo krejt të kotë.

Tortë, Turp, Teknologji.

Sekreti që na bëri të hynim në shekullin e ri politik me një ndjenjë të konsoliduar përkatësie emocionale, çka formëson si ndjenjë e përbashkët unitet kombëtar.

A nuk kërkonte një luftë qoftë edhe të humbur G. Gentile, për të formësuar nëpërmjet ndjenjës së disfatës kombin italian si njësi e kompakësuar?

Ne e bëmë duke folur e ndier për një tortë gjigante të bërë përshesh në mënyrë komiko-dramatike.

Gjithsesi me gaz.

T-T-T