Politika Rrëzimi i dekretit të Metës, opozita kallëzon deputetët e PS

Rrëzimi i dekretit të Metës, opozita kallëzon deputetët e PS

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kallëzuar penalisht në Prokurori deputetët e mazhorancës, pasi sipas tyre kanë shkelur rregulloren e Kuvendit, duke rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për ligjin e “tatimit mbi të ardhurat”.
PD-LSI akuzojnë deputetët e mazhorancës për veprat penale “ushtrim të ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë” si dhe “shpërdorim detyre”.

Ndërkohë, dy ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho dhe kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i dërguan një letër Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku kërkohej anulimi i rrëzimit të dekretit të Presidentit për ligjin e “tatimit mbi të ardhurat”.
PD-LSI në letër theksonin se është shkelur rregullorja e Kuvendit, duke rrëzuar dekretin e presidentit, pa kaluar 12 orë nga miratimi dhe administrimi i këtij akti në Kuvend.
“Duke vepruar në këtë mënyrë, Kuvendi i Shqipërisë, duke shkelur Rregulloren, ka minuar bashkëjetesën normale të të gjitha grupimeve politike në Kuvend. Nëse opozitës i mohohet e drejta e saj kushtetuese për t’u njohur me çështjet që shqyrtohen e miratohen në Kuvend, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, atëherë ky veprim antikushtetues tenton të asgjësojë defacto rolin e opozitës në Parlament, që është jetik për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”, thuhet në letër.