Bota Rrëzohet helikopteri gjatë trajnimit, vdesin 9 anëtarët e ekuipazhit

Rrëzohet helikopteri gjatë trajnimit, vdesin 9 anëtarët e ekuipazhit

Të nëntë anëtarët e ekuipazhit në bordin e një helikopteri shpëtimi që u rrëzua në një mal afër kufirit prefektural të Gunma/Nagano në Japoni, u konfirmuan të vdekur të shtunën.

Helikopteri, i cili po kontrollonte një gjurmë malore përpara hapjes së saj për alpinistët, u rrëzua pranë kufirit prefektural të premten në mëngjes. Zyrtarët e prefekturës kanë identifikuar viktimat, duke nisur me pilotin Noriyuki Amagai, 57 vjeç dhe mekanikun Susumu Sawaguchi, 60 vjeç, të dy punonjës të Toho Air Service.

Ata ishin gjithashtu pjesë e një njësie të menaxhimit të katastrofave në prefekturë së bashku me dy të tjerë në bord – Satoshi Ozawa, 44 vjeç dhe Akihiro Oka, 38 vjeç. Pesë të tjerët ishin zjarrfikësit Ken Tamura, 47 vjeç, Yosuke Mizuide, 42 vjeç, Hidetoshi Shiobara, 42 vjeç, Hiroshi Kuroiwa, 42 vjeç dhe Masaya Hachisuka, 43 vjeç.

Rreth 160 anëtarë të ekipit të shpëtimit, zyrtarë të policisë dhe personeli i Forcës së Vetë-Mbrojtjes hynë në zonë në këmbë në mëngjes të shtunën. Ndërsa shkaku i rrëzimit ende nuk bëhet i ditur, dëshmitarët okularë thanë se helikopteri, që i përkiste Qeverisë Prefekturale të Gunmas dhe që drejtohej nga një kompani ajrore me bazë në Tokio, po fluturonte në një lartësi shumë të ulët.

Një dëshmitar okular tha se motori po bënte një tingull të pazakontë. Zyrtarët e qeverisë lokale në Prefekturën e Gunma thanë se helikopteri Bell 412EP humbi kontaktin pas largimit nga një heliport në Maebashi rreth orës 9:15 të premten.

Sipas një stacioni vendor të motit, moti në afërsi të vendit të aksidentit ishte i vrenjtur, por era nuk ishte e fortë në atë kohë. Helikopteri hyri në shërbim në maj të vitit 1997 dhe kishte kaluar mbi 7,000 orë fluturimi, ndërsa duhej të hiqej nga shërbimi në vitin 2020.

Nuk kishte asnjë regjistrues fluturimi në avion, sipas qeverisë lokale. Pajisjet e tilla nuk janë të detyrueshme për helikopterët e shpëtimit në këtë vend.