Ekonomi Rriten të ardhurat. 15 mld lekë më shumë në 7 muaj

Rriten të ardhurat. 15 mld lekë më shumë në 7 muaj

Të ardhurat e qeverisë u rritën 6.4 për qind në 7 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-s. Ministria e Financave raportoi se, për periudhën Janar-Korrik buxheti i shtetit arkëtoi 248.3 miliardë në total, ose 15 miliardë lekë më shumë sesa një vit më parë.

Sipas tabelës fiskale, zërat me kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave ishin Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksat kombëtare dhe akcizat, të cilat së bashku i kanë sjellë buxhetit të shtetit gati 11 miliardë lekë më shumë sesa vjet.

Por, rritja e të ardhurave është shoqëruar me një rritje edhe më të lartë të shpenzimeve. Sipas Ministrisë së Financave, në 7 muajt e parë të vitit shpenzimet e buxhetit ishin 30 miliardë lekë më të larta sesa vjet.

Rritja ka ardhur veçanërisht nga shpenzimet sociale, ku hyjnë pagesat e pensioneve, ato të sigurimeve shëndetësore dhe kompesimi i pronarëve, për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të ri të pronave. Zëra të tjerë, ku shpenzimet kanë shënuar rritje, janë pushteti vendor dhe investimet publike.

Por, edhe pse shpenzimet janë rritur me një ritëm dy herë, bilanci i buxhetit ka vazhduar të jetë me suficit në masën 2.8 miliardë lekë. Megjithatë, deri në fund të vitit pritet që bilanci fiskal të mbyllet me deficit prej 31 miliardë lekëhs, gjë që do të thotë se në muajt e mbetur huamarrja e qeverisë në treg do të jetë më e lartë.