Aktualitet Rritet numri i të infektuarve, 18 raste të reja me Covid-19

Rritet numri i të infektuarve, 18 raste të reja me Covid-19

E ndërsa po mendohej se rastet e infektimeve në Shqipëri po vinin drejt fundit, pasi prej 3 ditësh numëronim nga 4 raste, këtë të enjte është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me Covid-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 18 raste, 11 prej të cilave në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe 1 në Durrës.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 898.

Megjithatë ministria e thotë se pavarësisht numrit të rasteve pozitive të identifikuara, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, por duhet të vazhdojë kujdesi i qytetarëve.

“Pavarësisht numrit të rasteve pozitive të identifikuara, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, por që tregon qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë”, tha Eugena Tomini nga ISHP.

Aktualisht në vendin tonë janë 173 persona aktivë me sëmundjen, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Kamëz. Gjashtë persona të tjerë janë shëruar, ndërsa në spital po qëndrojnë 19 pacientë, 3 prej të cilëve në terapi intensive.

“Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll”, tha Tomini.