Politika Rritja e pagave, Rama: Me votimin e sotëm, do jemi të parët...

Rritja e pagave, Rama: Me votimin e sotëm, do jemi të parët në rajon

Kryeministri Edi Rama thotë se me votimin e sotëm në Parlament për rritjen e rrogës mesatare, Shqipëria do të jetë e para në rajon.

Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri theksoi se ky projektligj nuk ishte i mundur më parë për shkak të tërmetit dhe krizave të tjera me të cilat u përball vendi.

“Sot jam shumë i lehtësuar sepse vijmë për të kaluar një projekt të cilin kemi dashur ta kalojmë vite më parë dhe që kemi luftuar çdo ditë të këtyre viteve. E kemi marrë këtë vend kur tabela e klasifikimit ishte 250 Euro paga mesatare, ndërkohë që Kosova e kishte 444 Euro, RMV 504 Euro, Serbia 537 Euro dhe Mali i Zi 726 Euro. Kemi qenë jo thjesht të fundit, por të fundit me diferencë.

Sot tabela është Kosova 504 Euro, RMV 706 Euro, Serbia 763 Euro, Bosnja 890 Euro, Mali i Zi 792 Euro dhe me votimin e sotëm ne i hapim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen na çon në 900 Euro pagë mesatare. Me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit. Kjo është ajo që bëjmë sot ne, të tjerat janë dokrra hini. Pse nuk e kemi bërë më parë? Sepse ne na është dashur të përballemi me situata të cilat rajoni nuk i ka pasur. Tërmeti ka rënë në Shqipëri. Situata dramatike dhe mjafton të shikohet se sa të ardhura kemi spostuar ne për të sistemuar në shtëpi dhjetra mijëra familje për të kuptuar që pse kjo nuk u bë kur u krijuan mundësitë. Pastaj erdhi pandemia, pastaj erdhi agresioni i luftës. Sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për gjithë familjet dhe biznesin e vogël të jetë dora e qeverisë”, u shpreh Rama.