Bota Rritja e rasteve të reja, rikthehet bllokada në Holandë

Rritja e rasteve të reja, rikthehet bllokada në Holandë

Baret dhe restorantet në Holandë do të mbyllen më herët, ndërsa eventet sportive do të mbahen pa spektatorë në kuadër të një bllokade të pjesshme tre javore që do të vendoset në vend.

Masa në fjalë synon të frenojë rritjen e shpejtë të rasteve të infektimeve me COVID, që ka çuar në mbushjen e spitaleve në mbarë vendin.

Infektimet kaluan kuotën e 16 mijë njësive për të dytën ditë rresht, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 13 mijë rastesh të konfirmuara, i regjistruar dhjetorin e vitit të kaluar.

Mediat holandeze kanë bërë të ditur se bllokada, e para në Evropë që nga përfundimi i stinës së verës, do të hyjë në fuqi mbrëmjen e së shtunës.

Njerëzve do t’u kërkohet të punojnë nga shtëpia, ndërsa spektatorët nuk do të lejohen të ndjekin as ndeshjen e kombëtares holandeze kundër Norvegjisë që luhet ditën e martë për kualifikimet e botërorit “Katar 2022”.

Ndërkohë, shkollat, teatrot dhe kinematë do të mbeten të hapura.

Banorët në qytetin jugor të Bredës deklaruan se i mirëpresin masat e reja, ndërsa fajësuan personat e pavaksinuar për rritjen e infektimeve.

“Sa për njerëzit përgjegjës, ne duhet t’i trajtojmë ata ndryshe. Nuk mund të lejojmë që vendimet të merren duke u bazuar tek njerëzit e pavaksinuar, apo që s’duan të vaksinohen. Nuk duhet të jetë kështu”, shprehet një qytetar.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse qeveria holandeze do të miratojë një rekomandim politik të panelit të këshilltarëve kundër pandemisë, për të kufizuar aksesin në vendet publike të personave që janë vaksinuar tërësisht, apo që kanë kaluar COVID-in.