Aktualitet Rruga e re Milot-Fier do të bëhet për 75 minuta, por me...

Rruga e re Milot-Fier do të bëhet për 75 minuta, por me pagesë

Segmenti Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, do të përshohet për 75 minuta dhe lëvizja e mjeteve do të lejohet deri në 130km/h, por do të jetë me pagesë.

Sot në ditën e hapjes së garës për projektin e infrastrukturës Milot-Fier, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja  e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Kreu i qeverisë tha se ky segment do të jetë me standardet më të larta e cila do të lehtësojë jo vetëm qarkullimin e brendshëm, por edhe bashkëpunimin rajonal dhe europian të transportit.

Ndërkohë ministrja Balluku tha se në total projekti përllogaritet të arrijë një shifër prej 1.2 miliardë euro, ndërkohë ky aks pritet që të jetë i aksesueshëm për qytetarët jo më parë se viti 2026.

Gjithsesi, do të ketë edhe një rrugë alternative për qytetarët që nuk dëshirojnë të paguajnë.

“115 kilometrat e tij do të përshkruhen për jo më shumë se 75 minuta. Ky segment do të jetë me pagesë, ndërkohë që do të shkurtojë shumë kohë për qytetarët. Gjithsesi do të ketë edhe një rrugë alternative, ku qytetarët mund të kalojnë pa pagesë. Në total do të kushtojë rreth 1.2 miliardë euro. Dokumentacioni i plotë do të jetë gati sot në mesditë maksimumi, në faqen zyrtare të APP-së. Sipas projektit shpejtësia minimale për lëvizjen në këtë aks rrugor do të jetë 90km/h, ndërsa ajo maksimale do të jetë 130 km/h. Segmenti Milot-Fier, është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Kjo do të jetë një rrugë me standardet më të larta”, tha Balluku ndër të tjera.