Bota Rruga kineze e mëndafshit nuk i tremb italianët

Rruga kineze e mëndafshit nuk i tremb italianët

Vado Ligure, Itali

Italia është vendi i parë i G-7, që merr pjesë zyrtarisht në projektin kinez të Rrugës së mëndafshit. Çfarë mendojnë italianët vetë për këtë? Cui Mu dhe Giulia Saudelli raportojnë nga qyteti i vogël Vado Ligure.

“Pamja që shihet nga dritarja ime nuk është shumë e bukur, por sjell vende pune, prandaj po i japim një plus!” thotë Marco Maietta për tregun në qytetin e vogël italiano-verior, Vado Ligure. Më pak se 100 metra më tutje ndodhet plazhi. Është mesi i prillit dhe kërkush nuk del në plazh, të notojë në ujë ose të shtrihet nën diell. Nga larg vijnë zhurmat e vinçave të mëdhenj që shkojnë e vijnë. Ato marrin pjesë në ndërtimin e një terminali për kontenierët.

Vittorio Boccalate, duket që është i entuziazmuar me përparimet që po bëhen në projektin e ndërtimit. Inxhinieri shpjegon para një vinçi blu se ky që po ndërtohet është terminali i parë gjysmëautomatik në Itali. “Sapo të fillojë nga puna, të gjitha kontenierët mund të transportohen dhe seleksionohen automatikisht nga ura deri në vendin e magazinimit dhe anasjelltas. Në fakt shkarkimi dhe ngarkimi i anijeve, trenave ose kamionëve duhet bërë ende në mënyrë manuale, i thotë ai reporterëve të DW.

Puna fillon në fund të vitit

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, anija e parë me kontenierë do të zbrazet në terminalin e ri që këtë vit. “Që furnizimi në afat është bërë i mundur, ka ndodhur falë furnizuesve të ZPMC nga Shangai,” thotë Boccalate. Nuk kemi të bëjmë me vinça të veçantë por me një sistem të tërë. “Firma kineze është e rëndësishme për projektin tonë”.

Krah ZPMC në ndërtimin e portit merr pjesë edhe një kompani tjetër kineze. Cosco Shipping administron së bashku me APM, një sipërmarrje hollandeze bijë e kompanisë daneze Reederei Maersk, ndërtimin dhe vënien në përdorim të portit. Manaxheri i APM, Paolo Cornetto thotë në bisedë me DW se firma e tij ka bashkëpunuar me sukses me Cosco-n kineze që në vitin 2016. Mbas vënies në punë  Vado Ligure do të ngarkojë-shkarkojë më shumë se një milionë kontenierë në vit dhe do të hapë 400 vende pune.

“Ne nuk kemi frikë nga kinezët”

Për një qytet të vogël me 8 mijë banorë 400 vende pune nuk janë pak. Vado Ligure, që ndodhet vetëm 50 kilometra larg qytetit të madh Gjenova, ndodhet në një rajon me traditë industriale. Por vitet e vështira ekonomike në Itali kanë eliminuar shumë vende pune. Kryetarja e Bashkisë, Monica Giuliano i shpjegon Deutsche Welles se qytetit i duhen investime, sidomos në port. “Kjo nuk është vetëm porta drejt Mesdheut, por edhe një portë e madhe për ngarkesat nga e gjithë bota.”

Monica Giuliani

Kryetarja 46 vjeçare e bashkisë është rritur në Vado Ligore. Ajo gëzohet për pjesëmarrjen e Kinës në zhvillimin e portit të saj. “Një partner i fortë” sjell shance të reja dhe para. Me ndihmën e kontratave dhe ligjeve nuk është e nevojshme që të krijohet shqetësim për rënien e madhe në borxhe ose për kushtet e punës, kritika këto që bëhen kundër investimeve kineze jashtë vendit. “Ne nuk kemi frikë nga kinezët. Dëshira jonë është zbatimi i planit.”

Edhe vetë sindikatat lokale nuk kanë frikë nga kinezët. Ato shqetësohen më shumë se si mund të hapen sa më shpejt të jetë e mundur vendet e reja të punës, shpjegon Danilo Causa nga sindikata CISL. “Jo, nuk kemi fare frikë nga Kina. Ata vijnë këtu, investojnë paratë e tyre, fitojnë paratë e veta. Për ne vendet e punës janë shumë të rëndësishme. Dhe ata duhet të respektojnë ligjet e punës këtu në vend.”

Në një letërkëmbim me Deutsche Wellen, Cosco thekson: “Nëpërmjet investimeve tona rajonet do të sigurojnë shanse më të mira zhvillimi. Atje duhet zhvilluar i gjithë zinxhiri industrial dhe duhen hapur vende të reja pune. Në këtë mënyrë bëhet e mundur që të dyja palët të përfitojnë bashkë me shoqërinë e atjeshme. Ne jemi të sigurt se bashkëpunimi kinezo-italian do të arrijë suksese edhe më të mëdha në kuadër të projektit “Rruga e re e mëndafshit” dhe do të bëhet gjithnjë e më i dashur për popullsinë kineze.”

Rruga e mëndafshit

Kritika nga Brukseli dhe Berlini

Kur kryetari kinez i shtetit, Xi Jinping vizitoi në fund të muajit mars Romën, Italia nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Kinën që shpjegonte synimet e bashkëpunimit. Kështu, Italia, ky vend i Europës Jugore kthehet në vendin e parë që bën pjesë në G-7, që lidhet me nismën ambicioze kineze, Rrugën e mëndafshit. Këtë javë, kryeministri italian Giuseppe Conte do të shkojë në Pekin për të marrë pjesë atje në takimin e nivelit të lartë për Rrugën e mëndafshit.

Në BE shumë vetë e shohin me sy kritik këtë hap të hedhur pa folur me partnerët. Brukseli ka treguar shqetësim se Roma do të bëhet e varur ekonomikisht nga Kina dhe kështu mund të dëmtohet sovraniteti i Europës, paralajmëroi Komisari i BE për ekonominë, Günter Oettinger. Ministri i Jashtëm Heiko Maas paralajmëroi se marrëveshje që në afat të shkurtër duken fitimprurëse mund të lenë shije të hidhur në afat të gjatë.

Por në Itali duket se kërkush nuk shqetësohet për të ardhmen e përbashkët me Kinën. Gian Enzo Duci, kryetar i shoqatës së lundrimit  Federagenti, thotë në intervistë me DW, se firmat e lundrimit shohin një potencial të madh zhvillimi tek investimet kineze. “Kina ka interes të madh tek rajonet rreth Gjenovës dhe Triestes. Kjo do të thotë se nëse ne investojmë si duhet në rrjetin hekurudhor, atëherë porti ynë nuk do të jetë vetëm port për kinezët që të shkojnë në Italinë e Veriut, por edhe për të shkuar në Europën Qendrore, Zvicër ose Gjermaninë e Jugut.”

Porti në Vado Ligure, Itali

Në Vado Ligure, ku prej vitesh rrjedh para kineze, ndërtimi i portit mund të kthehet në shembull pozitiv për ambicjet italiane të Rrugës së mëndafshit. Njerëzit si Vilma Calvini janë të sigurt: “Ne nuk kemi problem me kinezët. Ata, me paratë e tyre janë të mirëseardhur.”

Giulia Saudelli/DW