Kryesore Rudina Hajdari i kundërvihet PD-së: Mbajtët Kastriot Islamin e Lufter Xhuvelin

Rudina Hajdari i kundërvihet PD-së: Mbajtët Kastriot Islamin e Lufter Xhuvelin

Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari ka reaguar pas kritikave nga ish-deputetët demokratë pasi në seancën parlamentare të ditë së djeshme i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi një minutë heshtje për 4 dëshmorët e 2 prillit.

Në një përgjigje për sulmet, deputetja demokrate ka thënë se nuk ishte fyerje ajo që bëri në Parlament, por një akt dinjitoz.

Deputetja ka akuzuar PD se ka bërë politike për 28 vite me Gramoz Ruçin, ndërkohë që pranoi në grupin e saj Parlamentar, Kastriot Islami dhe Lufter Xhuvelin.

“Të kërkosh nderim zyrtar me heshtje në Kuvend për Martirët e Demokracisë nuk është fyerje por akt dinjitoz për ata që besojnë në vlerat demokratike. Ata që bëjnë sikur e duan shumë të djathtën duhet të kenë parasysh se me Gramoz Ruçin dhe partinë e tij kanë 28 vjet që bëjnë politikë.

Mos të harrojnë historinë se z. Islami që ishte kryetar i Kuvendit komunist e kanë bërë pjesë të grupit parlamentar ndërsa me Lufter Xhuvelin kanë mbajtur koalicion. Drejtësi duhet të bëhet për Martirët e Demokracisë ashtu siç edhe për dhjetra raste të rënda në Shqipëri të cilat kanë mbetur si gjurma në akull si shkak i politikës 28 vjeçare..!”, thekson Hajdari.