Politika Rudina Hajdari mban premtimin, jep rrogën për shkollën “Shejnaze Juka”

Rudina Hajdari mban premtimin, jep rrogën për shkollën “Shejnaze Juka”

Deputetja Rudina Hajdari ka vizituar dy ditë më parë shkollën “Shejnaze Juka”, në Shkodër, një klasë e së cilës u dogj nga mbështetësit e opozitës, pasi ishte zgjedhur të shërbente si KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit.

Deputetja Hajdari mbajti premtim për dhënien e rrogës për shkollën “Shejnaze Juka” dhe pas vizitës ka konstatuar se investimi është bërë nga bashkia e Shkodrës.

“Pas bisedimeve me drejtorin e shkollës, Kolë Shiroka, u pa e arsyeshme që shuma e parashikuar nga paga ime të shkojë për librat artistikë, të cilat janë të integruar në kurrikulat mësimore, të vlefshme për të tre vitet e gjimnazit, t’i shtohen bibliotekës së shkollës. Këto libra do të shërbejnë si për 500 nxënësit që janë aktualisht të regjistruar në shkollë, ashtu edhe për brezat e tjerë që do vijnë në vitet e ardhshme. Duke qenë libra, të cilat janë të detyrueshëm të lexohen për gjatë 3 viteve shkollore, të gjithë nxënësit që nuk kanë mundësinë të pajisen me libra do të kenë akses falas në bibliotekë për të tërhequr librin që u nevojitet”, tha ajo.

Më tej, Hajdari shton se “në funksion të tyre do të vihet në dispozicion dhe një kompjuter, i cili do të shërbejë dhe do të funksionojë për nxënësit për realizimin e projekteve, detyrave të kursit apo aktiviteteve të tjera të ngjashme gjatë gjithë vitit”.