Kryesore Rudina Hajdari: Nuk jam e privilegjuara e SHBA, Basha duhet të ikë

Rudina Hajdari: Nuk jam e privilegjuara e SHBA, Basha duhet të ikë

Nga protesta e studentëve, te 8 dhjetori i Rinisë dhe deri te vendimet e fundit të PD-së, këto janë vetëm disa prej hapave që sinjalizuan distancimin e Rudina Hajdarit nga opozita e udhëhequr prej Bashës, duke sulmuar thuajse njësoj PD dhe PS. Megjithatë, duket se ka një arsye për gjithçka.

A janë amerikanët pas Rudina Hajdarit?

“Sigurisht që unë këshillohem me miq të huaj, kam punuar në Kongresin amerikan, por nuk besoj dhe nuk mendoj se jam e privilegjuar prej tyre. Unë jam pjesë e komisionit të Jashtëm, atij të Integrimit, dhe interesohem nga afër për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ne duhet të shohim një lloj mekanizmi që t’i provojmë liderët tanë në opinionin publik”, tha Hajdari.

Një tjetër dilemë e ngritur nga publiku, është a po përgatitet Rudina Hajdari të formojë një parti të re?

“Nuk besoj se është momenti për këtë gjë. Unë besoj se është koha e duhur për të bërë disa reforma të rëndësishme, si ajo e Kodit Zgjedhor, që do të sjellë shumë ndryshime, e ndoshta edhe ndryshim të sistemit politik. Ajo që dua unë të shoh është të kemi një tryezë që përfshin të gjithë faktorët politik, që të flasë për një reformë të thellë qoftë për partitë politike, ashtu dhe për Kodin Zgjedhor”, tha më tej Hajdari.

“Basha duhet të ikë”

Rudina Hajdari ka kritikuar ashpër Lulzim Bashën, duke folur si një lidere alternative e së djathtës.

Sipas Hajdarit, vendimi për djegien e mandateve është marrë në mënyrë autoritare pa u konsultuar me bazën e partisë.

Ajo tha se do të kërkojë së shpejti transparencë për partitë politike që nga financimi deri tek zgjedhja e kandidatëve.

Hajdari tha se “nëse nuk qeveris dot shtëpinë tënde nuk mund të qeverisësh vendin”.