Sport Rui Costa analizon ish-shokët: Juventusi i Pirlo-s është si Milani i Ancelotti-t,...

Rui Costa analizon ish-shokët: Juventusi i Pirlo-s është si Milani i Ancelotti-t, ndërsa Gattuso… 

Të dielën është në program Juventus-Napoli. Një sfidë brenda sfidës me Andra Pirlo-n kundër Gennaro Gattuso-n. Të dy njihen shumë mirë, duke parë se kanë ndarë shumë gëzime bashkë në nivel klubi dhe me kombëtaren.

Një që i njeh të dy është Rui Costa, ish-yll i Milan-it, dhe drejtues aktual i Benfica-s. Portugezi ka vlerësuar punën e dy ish-shokëve të skuadrës në një intervistë të dhënë për Tuttosport.

“Po pasqyrojnë atë që ishin si lojtarë. Mendimi i përgjithshëm është se Rino kishte vetëm vendosmëri dhe vrap, por ai ishte më shumë se aq. Ka qenë një hero, po, por edhe shumë i zgjuar: për të ruajtur ekuilibrin në një mesfushë me fantazistë duhet të jesh i aftë të kuptosh edhe momentet e ndeshjes”, ka shpjeguar Rui Costa.

“Rino po e konfirmon këtë cilësi edhe me futbollin që po ofron. Një përzierje mes cilësisë dhe ekuilibrit”.

Në lidhje me Pirlo-n: “Në atë që po bën Juventus rishikoj idenë që ishte te Milani ynë për të bërë të mundur bashkëjetesën e lojtarëve cilësorë. Ajo skuadër mbahet mend në mënyrë të veçantë për Champions League e vitit 2002, por Ancelotti na ka provuar ashtu për herë të parë në stërvitje, mbaj mend se jemi befasuar të gjithë. Dhe komentet ka qenë  të gjitha të tipit: ‘Po si do të luajmë kështu?’ Por ia dolëm…”.