Kryesore Rusët në Ballkan, Dyrmishi: Putin jeton me ëndrrën e Bashkimit Sovjetik

Rusët në Ballkan, Dyrmishi: Putin jeton me ëndrrën e Bashkimit Sovjetik

Në emisionin “Top Talk” të Denis Dyrnjasë, është folur sot për ndikim rus në Shqipëri dhe se në çfarë forme po shfaqet ai. Gazetari Dyrnjaja tha se perëndimi dhe Rusia po përplasen në Ballkan, duke kërkuar influencë, ndonëse nuk është një përplasje ushtarake, por e një forme tjetër.

Përgjigje kësaj çështjeje i ka dhënë Drejtori Ekzekutivi i Qendrës për Studime Demokratike dhe Qeverisëse, Arjan Dyrmishi.

Ai tha se Putin e ka konsideruar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si një nga tragjeditë e shekullit XX, dhe se po përpiqet të rrisë influencën e tij jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.

“Prej një dekade, që nga ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji në vitin 2008 ka një ndryshim marrëdhëniesh mes Perëndimit dhe Rusisë. Duhet thënë se ky përkeqësim marrëdhëniesh ka filluar që me ardhjen në pushtet të Putinit, i cili e ka konsideruar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si një nga tragjeditë më të mëdha të shekullit XX. Politika e tij e jashtme është udhëhequr nga një qasje e re fashiste, të influencës së tij ruse, të ngjashme me Bashkimit Sovjetik.

Në këtë kuptim edhe marrëdhënia e vendosur gjatë periudhës së Jelsinit dhe pak më mbrapa, që konsistonte në marrëdhënien ne nivelin NATO-s, ku Rusia kishte delegacionin e saj. Ishte një marrëdhënie bashkëpunimi në shumë çështje”.

Dyrmishi tha se në vitin 2010 Shtetet e Bashkuara të Amerikës tentuan që të ristartojnë marrëdhëniet e tyre, por kjo nismë dështoi.

“Në vitin 2010 pati një tentativë të fundit për të bërë një ristartim të marrëdhënieve mes SHBA-se dhe Rusisë, por që nuk funksionoi edhe ajo. Ka pasur një rritje tensioni jo vetëm me SHBA-në, por edhe Evropa ndodhet në të njëjtën situatë përballë Rusisë”, shtoi ai.

“Ballkani si “masha e nxehtë” e Rusisë për Europën”

Po si erdhi pozicionimi i Rusisë përballë Europës e më gjerë? Studiuesi i çështjeve të sigurisë, Arjan Dyrmishi thotë se kjo nuk ka ndodhur menjëherë. Sipas tij kanë ndikuar edhe zhvillimet e brendshme, ku Rusia vitet e fundit ka pasur zhvillim ekonomik.

“Poziciononim i Rusisë ka ardhur në proporcion të zhvillimeve të brendshme. Rusia ka kaluar një fazë shumë të rëndë korrupsioni, kolapsi ekonomik dhe nga bumi i çmimeve të naftës, Rusia pati një ringritje të ekonomisë, ku rigjallëroi ekonomin e vendit, ushtrinë dhe influencën , në mënyrë që të jetë më efektive. Kjo do të thotë se po përpiqet që të rrisë ndikimin nga fuqi rajonale në fuqi globale. Ndodhemi në një faze të këtij projeksioni, për të arritur këtë lloj ndikimi, që është i kombinuar. Nuk ndodh vetëm në Ballkan por edhe ne vende të tjera. Rusia dërgoi trupa në Venezuelë”, tha studiuesi.

Sipas tij interesat e Rusisë në Ballkan nuk janë të shkëputura nga pozita globale. Dyrmishi thotë se Ballkani është pjesë e butë e Europës dhe se ajo po përpiqet që të bllokojë orientimin e këtyre vendeve drejt anëtarësimit në BE.

“Interesat ruse nuk janë të shkëputura nga pozita e saj globale. Ballkani është pjesë e butë e Evropës, për aq kohë sa vendet ballkanike janë orientuar drejt Bashkimit Evropian, Rusia ka tentuar që ta bllokojë këtë gjë. Vazhdon që të ketë influencë të tillë. Nëpërmjet stanjacionit të Ballkanit po kërkon që të krijojë një situatë pasigurie”, u shpreh Dyrmishi.