Kuriozitete Rusët nën Putinin, 43 përqind më pak pijanecë

Rusët nën Putinin, 43 përqind më pak pijanecë

Rusët kanë reputacionin e një komb pijanecësh, por një raport i Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO) i lëshuar të martën tregoi se konsumimi i tyre i alkoolit kishte rënë me më shumë se 40 përqind nga kulmi i tij në fillim të viteve 2000, raporton AFP.

OBSH i ka atribuar një prirje të tillë një sërë masash të paraqitura nga Presidenti Vladimir Putin që kur erdhi në pushtet në vitin 2000. Kjo përfshin kufizime në shitjen e alkoolit dhe promovimin e një jetese të shëndetshme.

“Federata Ruse është konsideruar prej kohësh vendi me alkoolistët më të rëndë”, thuhet në raport, duke shtuar se alkooli ishte një nga faktorët kryesorë për rritjen e shpejtë të vdekjeve në vitet 1990.

“Sidoqoftë, këto tendenca kanë pësuar rënie në vitet e fundit”, shton OBSH.

Studimi zbuloi se një rënie prej 43 përqind e konsumit të alkoolit për frymë nga 2003 në 2016 ishte nxitur nga një rënie e mprehtë e konsumit të pijeve të lira.

Autorët e raportit deklarojnë se kjo prirje është një faktor në zgjatjen e jetëgjatësisë, duke arritur një kulm historik në vitin 2018 në 78 vjeç për gratë dhe 68 vjeç për burrat.

Në fillimet e trazuara të viteve 1960, jetëgjatësia për burrat ishte vetëm 57 vjet.

Nën qeverisjen e Putinit, Rusia ka futur masa të tilla si ndalimi i shitjes së alkoolit pas orës 23.00, një rritje në çmimin minimal të blerjes së pijeve dhe një ndalim të reklamimit, raporton AFP.