Bota Rusi/ Kryeministri Medvedev dhe qeveria japin dorëheqjen

Rusi/ Kryeministri Medvedev dhe qeveria japin dorëheqjen

Rusi/ Kryeministri Medvedev dhe qeveria japin dorëheqjen

Kryeministri rus Dmitri Medvedev dhe qeveria e tij kanë dhënë dorëheqjen, pasi Presidenti Vladimir Putin propozoi ndryshime në Kushtetutë.

Dorëheqjen e ka njoftuar vetë Medvedev, menjëherë pasi Presidenti Vladimir Putin mbajti fjalimin e tij vjetor të vendit.

“Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, do të ketë ndryshime të rëndësishme, sa i përket balancës së pushtetit“, tha Medvedev gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.

“Në këtë kontekst, ne, si Qeveri e Federatës Ruse, duhet t’ia sigurojmë presidentit të vendit tonë mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme. Në kushtet e tilla, mendoj se Qeveria e Federatës Ruse ka bërë hapin e duhur me dorëheqje“, tha Medvedev.

Ndërkohë presidenti Putin u kërkoi ministrave që të funksionojnë si qeveri e përkohshme derisa të formohet një e re.

Medvedev para se të jepte dorëheqjen e kabinetit u takua me Putin.

Ndryshimet kushtetuese

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e shfrytëzoi fjalimin vjetor drejtuar kombit për të bërë thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.

Duke iu adresuar Asamblesë Federale, Putin tha se Kushtetuta e Rusisë, e vitit 1993, duhet ndryshuar, për t’i dhënë Dumës Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin.

Këto kompetenca aktualisht i takojnë presidentit.

Putin po ashtu tha se Rusia duhet të mbetet “republikë e fuqishme presidenciale”.

“Presidenti duhet të ruajë të drejtën për të përcaktuar detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të shkarkuar kryeministrin, zëvendësit e tij dhe ministrat federalë, në rast të moskryerjes së detyrave ose humbjes së besimit”, tha Putin.

Ai po ashtu tha se duhen ashpërsuar kushtet për t’u bërë president dhe se çdo president i ardhshëm duhet të ketë jetuar në Rusi për së paku 25 vjet dhe të mos ketë ndonjë shtetësi të huaj.

Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999.

Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar.

Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit.