Bota Rusia: Arritëm armëpushimin në Nagorno-Karabakh

Rusia: Arritëm armëpushimin në Nagorno-Karabakh

Konflikti në Nagorno-Karamakh mund të ketë ardhur në një pikë kyçe. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov gjatë natës së djeshme ka deklaruar se Armenia dhe Azerbajxhani kanë dakordësuar me të termat e një armëpushimi i cili duhet të filloj sot në mesditë.

Lajmin e shumëpritur Lavrov e shpalli pas një takimi të zgjatur rreth 10 orë me ministrat e jashtëm të dy vendeve në luftë, armeni Zohrab Mnatsakanyan dhe azerbajxhanasi Jeyhun Bayramov, që gjithsesi preferuan të mos komentonin vendimin e përbashkët.

Pas një konflikti të ashpër në vitet ’90, që shkaktoi rreth 30 mijë viktima, Armenia dhe Azerbajxhani po përballen sërish për rajonin e Nagorno-Karabakhut, formalisht pjesë e Azerbajxhanit por me një popullsi armene që kontrollon de facto territorin.

Sipas burimeve lokale, rreth 400 persona kanë gjetur vdekjen në dyluftimet e ditëve të fundit, mes tyre edhe dhjetëra civilë. Armëpushimi i papritur me ndërmjetësimin e Lavrov do të ishte një fitore e rëndësishme diplomatike edhe për Rusinë e Vladimir Putin.