Bota Rusia i kundërpërgjigjet SHBA, Putin pezullon Traktatin e Forcave Bërthamore

Rusia i kundërpërgjigjet SHBA, Putin pezullon Traktatin e Forcave Bërthamore

Presidenti Vladimir Putin thotë se Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në Traktatin për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, pas vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar atë.

Rusia do të zhvillojë raketa të ndaluara më parë sipas kushteve të saj, shkruan rt.com.

“E jona do të jetë një kundërpërgjigje. Partnerët tanë amerikanë thanë se do t’i pezullojnë obligimet e tyre me Traktatin dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha presidenti Vladimir Putin në Moskë të shtunën.

“Ata thanë se po bëjnë kërkime dhe testime, (mbi armët e reja) dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Putin gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov dhe ministrin e Mbrojtjes Sergey Shoigu.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha dje se Uashingtoni do ta njoftojë zyrtarisht Moskën se SHBA-ja do të tërhiqet nga traktati për gjashtë muaj.

Nënshkruar në vitin 1987 nga Presidenti Ronald Reagan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov, traktati “kërkonte shkatërrimin e raketave balistike dhe raketave detare me distanca prej 500 deri në 5,500 kilometra, hedhësit e tyre dhe strukturat e mbështetjes shoqëruese dhe pajisjet mbështetëse”.

“Rusia ka shkelur traktatin për vite me radhë”, tha dje Pompeo, por Rusia e mohon.

Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës dhe vendimi mund të përshkallëzojë një garë të re armësh bërthamore.