Bota Rusia kërcënon Lituaninë: Zhblloko kalimin e mallrave, ndryshe do të reagojmë

Rusia kërcënon Lituaninë: Zhblloko kalimin e mallrave, ndryshe do të reagojmë

Moska ka reaguar ashpër ndaj Lituanisë, për vendimin për të ndaluar tranzitin e disa mallrave me destinacion Kaliningradin, enklavën e Rusisë në Detin Baltik.

“Vendimi i Lituanisë për të limituar tranzitin e mallrave në rajonin e Kaliningradit është e paligjshme dhe e paprecedentë”, kështu u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve TASS.

“E kuptojmë se vendimi vjen si pasojë e sanksioneve të Bashkimit Europian, por besojmë se kjo gjë është e paligjshme. Në ditët që vijnë do të zhvillojmë një analizë më të detajuar dhe do të reagojmë me të gjitha mënyrat”, shtoi Peskov.

Pas kësaj deklarate i menjëhershëm ishte dhe reagimi i Vilniusit zyrtar. Ministri i Jashtëm, Gabrielius Landsbergis deklaroi se limitimi i kalimit të mallrave në enklavën ruse vjen si pasojë e hyrjes në fuqi të sanksioneve të vendosura nga BE. Ai shton se nga kjo masë nuk preken të gjitha mallrat, por kryesisht eksporti i çelikut.

Edhe përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell doli në krah të Vilniusit pas kërcënimit të Rusisë.

“Kalimi tokësor mes Kaliningradit dhe Rusisë nuk është bllokuar. Pasagjerët dhe mallrat që nuk janë pjesë e sanksioneve vijojnë të kalojnë transit. Lituania nuk ka marrë asnjë kufizim unilaterale, por thjesht ka aplikuar sanksionet. Pjesa tjetër është vetëm propagandë”, shtoi Borrell.