Bota Rusia përkujton 75-vjetorin e rrethimit të Leningradit

Rusia përkujton 75-vjetorin e rrethimit të Leningradit

Tanke dhe sisteme antiajrore të mbrojtjes parakaluan sot në qendër të Shën Petersburgut për ceremonitë e 75-vjetorit të heqjes së rrethimit të tmerrshëm të Leningradit që shkaktoi vdekjen e të paktën 800 000 personave mes viteve 1941 dhe 1944.

Parada, e cila u zhvillua nën flokët e dëborës pranë muzeut Hermitage ngjalli edhe polemika, përfshirë nga të mbijetuarit e rrethimit, duke e denoncuar si një shembull të propagandës ushtarake të orientuar nga autoritetet.

Presidenti rus, me origjinë nga ky qytet, nuk ishte i pranishëm në paradë por do të merrte pjesë në disa organizime të tjera të planifikuara në ish-kryeqytetin rus.

Përpara qindra spektatorëve që sfiduan edhe të ftohtin ekstrem ndërsa termometri shënonte -11 gradë Celsius, mbi 2500 ushtarakë parakaluan në shesh, shoqëruar nga tanku legjendar T-34 dhe raketahedhëse.